Finalja, Xhon Terri gjuajti penalltinë e Didier Drogba
Zëvendëstrajneri i Çelsit, Henk ten Keit, konfirmoi se Xhon Terri nuk duhej të kishte gjuajtur penallti në finalen e Ligës së Kampioneve kundër Mançester Junajted. Kapiteni i bluve ekzekutoi 11-metërshin e planifikuar për Didier Drogba, pasi ai u largua nga fusha me karton të kuq, në minutat e fundit të shtesës. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë shkoi në dush përpara kohe, pasi gjatë një momenti tensioni ai goditi me shuplakë mbrojtësin Njemana Vidiç. Terri gjuajti penalltinë e fundit, që mund t‘i jepte londinezëve trofeun më prestigjioz për klube, por në momentin final mbrojtësi rrëshqiti dhe topi, pasi u përplas në shtyllë, përfundoi jashtë. Ky episod ishte vendimtar në shpalljen e kampiones së Evropës, pasi pak çaste më vonë, portieri i Junajted, Van der Sar, priti penalltinë e Nikolas Anelka dhe i dha "Red Devils" kupën e tretë në Ligën e Kampioneve. Sipas gjasave, nëse penalltia e pestë e Çelsit do të ishte gjuajtur nga një sulmues dhe jo nga mbrojtësi i qendrës, gjithçka do të kishte rrjedhur ndryshe. "Xhon nuk ishte përfshirë mes pesë lojtarëve të parë që do të ekzekutonin penalltitë, por kjo u ndryshua gjatë ndeshjes", deklaroi Ten Keit. "Kartoni i kuq i marrë nga Drogba na detyroi të bënim këtë ndryshim. Megjithatë, është e pabesueshme që ajo i ndodhi Territ. Në momentin final ai rrëshqiti. Gjatë gjithë javës së kaluar jemi praktikuar në gjuajtjen e penalltive dhe Terri kishte shumë siguri. Nuk ishte parashikuar që të ishte mes pesë të parëve. Gaboi në momentin më kyç, megjithatë kam besim se do ta marrë shumë shpejt veten". Humbja e finales së Moskës me penallti tronditi të gjithë skuadrën. Mbrojtësi Rikardo Karvajo pohoi se të gjithë në dhomat e zhveshjes së Çelsit ndjeheshin fajtorë, ndërkohë që kapiteni Xhon Terri ka shpërthyer në lot dhe askush nuk arriti ta ngushëllonte. "Në fund të ndeshjes, në dhomat e zhveshjes pothuajse të gjithë shpërthyen në lot. Normalisht që ishim të zhgënjyer për mënyrën se si përfundoi kjo finale, ishim vetëm një penallti larg triumfit", rrëfeu portugezi. "Edhe pse u munduam, asnjëri nga ne nuk arriti që të pushonte lotët e Territ".
Finalja dramatike është shoqëruar edhe me përplasje mes tifozëve të Çelsit dhe forcave të rendit në kryeqytetin anglez. Gjithçka ndodhi në Londrën perëndimore, në afërsi të stadiumit "Stemford Brixh". Një dëshmitar shpjegoi për "Daily Mail" atë që ndodhi. "Disa policë me makinë patën një debat me një mbështetës të Çelsit, që ishte pjesë e një grupi tifozësh të dehur", tha dëshmitari okular. "Kaq mjaftoi dhe papritmas 50 tifozë sulmuan automjetin e policisë, ata u përpoqën të shkulnin sirenën dhe të hynin brenda. Ishte një pamje e tmerrshme. Më pas gjithçka degjeneroi në përplasje: ishin vetëm 50 policë kundër afro 800 tifozëve të Çelsit". Përplasje ndërmjet mbështetësve blu dhe policisë janë regjistruar edhe në Moskë, por ato ishin raste të izoluara.