E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat, 200 mijë dollarë për konsulencë për eurobondet

Qeveria pritet të paguajë rreth 197 milionë lekë për katër muaj

Konsulenti që qeveria synon të zgjedhë për të emetuar eurobondet sovrane të Shqipërisë pritet t’i kushtojë taksapaguesve rreth 200 mijë dollarë për katër muaj punë, bëhet e ditur nga buletini zyrtar i prokurimeve. Ministria e Financave njoftoi pak ditë më parë se do të përzgjedhë një konsulent ndërkombëtar dhe se subjektet e interesuara duhet të dorëzojnë dokumentet brenda 30 janarit. “Objekti i prokurimit është konsulencë për emetimin e Eurobondit.
Fondi Limit është 16.5 milionë lekë pa TVSH”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Prokurimeve. Përveç pagesës së konsulentit, ministria ka paguar edhe njoftimin për garë te gazeta “Financial Times”, njoftim që zakonisht kushton disa dhjetëra mijëra euro. Kontrata me konsulentin do të përfundojë më 30 maj, kur parashikohet edhe mbyllja e procedurave të shitjes së eurobondeve. Ministria e Financave shpreson se do t’ia dalë të shesë 300 milionë euro bonde ose më shumë, nga të cilat, rreth 200 milionë do të përdoren për të shlyer kredinë sindikale me interes të lartë të tërhequr në maj dhe korrik të vitit 2009. Qeveria shqiptare tentoi edhe në janar 2009 të emetojë eurobonde, por nuk arriti të mbledhë oferta të mjaftueshme. Për këtë arsye, u hap fillimisht një tender për të marrë kredi. Edhe tenderi i dytë dështoi, pasi asnjë prej bankave nuk ofroi të gjithë shumën e kërkuar. Bankat ofruan rreth 100 milionë euro me interes euribor plus 6.5 për qind, nga 250 milionë që ishte kërkuar. Pas kësaj, qeveria hapi negociata direkte me disa banka për të marrë një kredi sindikale. Negociatat përfunduan në maj, kur një grup bankash ofruan rreth 200 milionë euro përkundrejt interesit euribor plus 9.65 për qind. Eurobondet janë tituj borxhi publik të pagarantuar të emetuara në euro. Ndryshe nga eurobondet, kreditë sindikale si ato që qeveria shqiptare i ka tërhequr më parë, mbartin kushtëzime dhe garanci shtesë për bankat që i emetojnë. Një qeveri që dëshiron të emetojë eurobonde, duhet të dëshmojë fillimisht besueshmëri. Për këtë arsye, shumë vende të varfra nuk janë në gjendje të hyjnë në këtë treg.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›