E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raportohet të jetë i lartë numri i pacientëve në gjendje të rëndë

18/12/2009  Gripi i derrave, mbërrijnë sot dozat e para të vaksinës
Mbetet ende i lartë numri i pacientëve që janë nën vëzhgimin e rreptë të mjekut për shkak të komplikacioneve të shfaqura nga mbartja e virusit të gripit të derrave. Sipas të dhënave të publikuara mbi përhapjen e kësaj sëmundjeje në vendin tonë, gjendja shëndetësore paraqitet të jetë e rëndë për 12 pacientë, të cilët janë të shtruar në pavijonet e spitalit infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Njëkohësisht janë edhe tri raste të tjera, që po trajtohen në Sanatorium, që gjithashtu paraqesin gjendje të vështirë, për shkak se pacientët e infektuar nga ky virus vuajnë edhe nga sëmundje të tjera kronike. Ndërsa gjithsej numërohen mbi 334 pacientë të infektuar, pesë prej të cilëve kanë humbur jetën. Tashmë është konfirmuar se sjellja e vaksinës nga Hungaria pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme. Janë rreth 10 mijë doza, që do të shpërndahen në QSUT, në repartet intensive të saj, si dhe në Sanatorium. "Në javët në vijim pritet të vijnë me nga 10 mijë dozat e tjera të vaksinës, kjo edhe për shkak të kapaciteti prodhues të kompanisë, po ashtu dhe për mundësitë e transporti”, - ka pohuar drejtori përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë Pëllumb Pipero. “Grupe të caktuara vaksinash në vende të ndryshme, të prodhuara nga kompani të ndryshme, kanë dhënë efekte anësore afatshkurtra të vaksinave, ndërkohë që efektet afatgjata të tyre ende nuk njihen. Vaksina vjen nga Hungaria, nga një firmë shumë e njohur prodhuese e vaksinave. Është aplikuar jo vetëm në Hungari, por dhe në vende të tjera dhe nuk ka asnjë njoftim deri tani që vaksina që vjen te ne ka dhënë efekte anësore në këto vende”, - pohon Pipero.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›