E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat: Akcizat do sjellin 2.5 miliardë lekë

TIRANË- Me rritjet e propozuara së fundmi të nivelit të akcizave buxheti i shtetit pritet të përfitojë rreth 2.5 miliardë lekë në vit. Një rritje e tillë për produkte si kafe, pije alkoolike dhe cigare të cilat normalisht konsiderohen mallra me akcizë të fortë vjen në një kohë kur shënohen rënie të të ardhurave nga doganat.


Muajin e kaluar, të dhëna zyrtare nga Ministria e Financave raportonin se gjatë shtatëmujorit të parë të këtij viti ishte shënuar një ulje me 361 milionë lekë të të ardhurave nga akciza në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Në këtë kontekst, edhe të ardhurat nga doganat shënuan një mosrealizim të planit me 7.3 miliardë lekë gjatë shtatëmujorit të parë të vitit 2009. Krahas kësaj, sipas relacionit shpjegues të Ministrisë së Financave, rritja e akcizës për këto mallra bëhet në kuadrin e përafrimit të nivelit të saj me vende të rajonit por edhe me shtete të bashkimit evropian.


"Ministria e Financave po ndjek politikën për rritjen graduale të niveleve të akcizës për këto produkte me qëllim që rritja e tyre të shoqërohet edhe me përmirësime në masat administrative dhe me forcimin e kapaciteteve dhe procedurave të kontrollit", - citohet në relacion.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›