Përdhunimi i të miturit, thellohet skandali
INSPEKTIMI / Në seksionin ku strehoheshin 9 të miturit akoma mbaheshin në arrest edhe 9 të rritur
Raporti i vëzhguesve të IET: U zhduk deklarata dhe u transferua gardiani
TIRANË - Thellohet skandali në burgun e Drenovës në Korçë. Deklarata e të miturit të përdhunuar për ngjarjen dhe rrethanat e saj është zhdukur, ndërsa punonjësi që ka marrë deklaratën, është transferuar papritur në një burg tjetër.
Të dhënat i bën të ditura një ekip i Institutit Europian të Tiranës që ka inspektuar burgun në 19 shtator dhe ka marrë kontakt me të miturin e përdhunuar.
"Sipas deklarimeve të viktimës, ai ishte përdhunuar në qelinë e tij 3 javë më parë nga i paraburgosuri i rritur K.R. Masa e vetme e marrë nga drejtuesit e institucionit ishte mbajtja në izolim e K.R. për 24 orë dhe më pas vënia e tij në një dhomë tjetër jashtë seksionit ku mbahen te miturit. Megjithatë, në seksionin ku strehoheshin 9 të miturit akoma mbaheshin në arrest edhe 9 të rritur" - thuhet në deklaratë.
Drejtuesit mohonin ngjarjen dhe pretendonin se A.I nuk ishte ankuar, por kjo kundërshtohej nga i mituri i dhunuar. Sipas IET që po drejton një monitorim të burgjeve në bashkëpunim me Avokatin e Popullit, i mituri i përdhunuar ka pohuar se "kishte nënshkruar një deklarate përpara punonjësit te policisë së burgut B.D menjëherë pas përdhunimit".
Kërkesës së përfaqësuesve të IET-së, për t'u njohur me këtë deklaratë dhe për t'u takuar me punonjësin B.D, drejtuesit e burgut iu përgjigjën duke thënë se deklarata nuk ekzistonte dhe se punonjësi në fjalë ishte transferuar në burgun e Peqinit.
"Duhet theksuar se pretendimet e A.I. mbështeteshin edhe nga të miturit e tjerë, kërkesa parësore dhe e vazhdueshme e të cilëve ishte veçimi nga të rriturit" - thuhet në deklaratën e IET, ku shtohet se "u konstatua me shqetësim se në kundërshtim me legjislacionin shqiptar dhe marrëveshjet ndërkombëtare, të miturit nuk mbahen të veçuar nga të rriturit".
Monitorimi i përbashkët i IET dhe Avokatit të Popullit është bërë i mundur në sajë të një marrëveshjeje të nënshkruar në vitin 2009, e cila ka për qëllim përmirësimin e situatës në të gjitha njësitë e sistemit të paraburgimit në Shqipëri. Kjo nismë për "Përmirësimin e Sistemit të Paraburgimit në Shqipëri", e financuar nga OSI, ka përfshirë ekspertë të Institutit Europian të Tiranës dhe të Avokatit të Popullit.