E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat: Deri në maj është realizuar 45 për qind e fondit vjetor

27/06/2011  Pesëmujori arrin në 905 milionë lekë shpërblimi për ish-pronarët e legalizimeve

900 milionë lekë për të dënuarit

Brikena Dervishaj

Qeveria ka akorduar rreth 45 për qind të fondit të planifikuar të këtij viti për ish- të përndjekurit deri në muajin maj. Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave për pesëmujorin, janë shpërndarë rreth 900 milionë lekë për kategorinë e ish-të përndjekurve. Qeveria ka miratuar gjatë mbledhjeve të saj listat e emrave të ish-të përndjekurve sipas dosjeve të shqyrtuara dhe të miratuara nga Ministria e Drejtësisë, duke ndjekur kriterin e moshës mbi 65 vjeç dhe të sëmurët. Deri tani këstin e parë të dëmshpërblimit e kanë përfituar mbi 10 mijë ish-të përndjekur politikë, nga 22 mijë që janë gjithsej. Ndarja e parave të dëmshpërblimit sipas ligjit ka vijuar për një pjesë të përfitimit. Shuma e të hollave mund të tërhiqet nga vetë ish-të dënuarit ose në rast se ata nuk jetojnë më, ajo tërhiqet vetëm nga familjarët e tij si bashkëshorti/ja ose fëmijët. Nëse asnjë prej tyre nuk është gjallë, fondet i kthehen buxhetit të shtetit. Depozitat bankare që çelen në emër të ish-të dënuarit politikë bëhen të disponueshme brenda një jave nga çelja e tyre. Depozitat e çelura sipas nenit 15 të ligjit mund të kërkohen nga të interesuarit deri në 3 vjet nga çelja e tyre. Sipas ligjit, pasi të përfundojë dhënia e këstit të parë të aplikantëve do të nisë ndarja e këstit të dytë.

Të ardhurat dhe kompensimi i ish –pronarëve

Pesë muajt e parë të vitit mbi 45 për qind e fondit vjetor është realizuar edhe për kompensimin e ish-pronarëve. Në fakt bëhet fjalë vetëm për ata ish-pronarë që kanë përfituar nga procesi i legalizimit, për të cilët Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka shpërndarë këstet e përfitimit sipas ligjit, për grupin e katërt të kërkesave të pronarëve. Ndërkaq, AKKP-ja ka realizuar edhe një shumë të ardhurash që lidhen sërish me pagesat e bëra nga procesi i legalizimeve. Ky fond arrin në total deri në maj 2011 në 815 milionë lekë nga 1,400 milionë lekë që është planifikuar, ose 58.21% e totalit të parashikuar vjetor. Sa i përket kompensimit financiar për ish-të përndjekurit fondi i planifikuar për këtë vit është 1 miliard lekë dhe ky proces pritet të finalizohet brenda muajit korrik, me shpalljen e listës së fituesve për këtë vit. Aplikantët e këtij viti ishin rreth 1012 persona, ndërsa përfitues mendohet të jenë jo më pak se 200 persona. Të dhënat mbi numrin e këtyre kërkesave të ndara, sipas qarqeve tregojnë se numrin më të madh të kërkuesve e zënë ata nga Tirana me 377 kërkesa për kompensim, pastaj vjen qyteti i Shkodrës me 168 kërkesa dhe Korça me 140 kërkesa. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është duke vijuar procesin e shqyrtimit administrativ të këtyre kërkesave. Sa më i hershëm në kohë të jetë vendimi aq më e madhe është mundësia për t’u kualifikuar.

Kompensim të përndjekurit politikë (milionë lekë)

Janar Shkurt Mars Prill Maj Plan vjetor %

- - 400 400 900 2,000 45%

Ish- pronarët

Të ardhura fondi i kompensimit të pronarëve

Janar Shkurt Mars Prill Maj Vjetor %

221 342 527 697 815 1,400 58.21%

Shpenzime për kompensim pronarësh

Janar Shkurt Mars Prill Maj Vjetor %

- 350 350 350 905 2,000 45.25%

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›