Trazirat, anulohet emetimi i Eurobondit këtë vit
Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi dje se janë anuluar planet për emetimin e Eurobondit në vitin 2011, në tregun ndërkombëtar. Burimet në Ministrinë e Financave shpjegojnë se, pas situatës së krijuar në opinionin ndërkombëtar nga trazirat e fundit, Shqipëria do të ketë të pamundur të emetojë një eurobond tjetër
Nisur nga trazirat e fundit në vendin tonë, ministria e Financave ka anuluar emetimin e një eurobodni të ri në tregun financiar ndërkombëtar këtë vit. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Financave, Rivdan Bode, dje gjatë një takimi me median, i cili anulimin e eurobondit e argumentoi për shkaqe teknike. “Programi ynë fiskal nuk ka të projektuar një dalje të re në tregjet financiare globale dhe kjo lidhet me faktin që ne tashmë kemi kontraktuar një sërë kredish zhvillimore, koncensionale me institucionet financiare ndërkombëtare”, tha Bode. Sipas tij, investimet publike që ka nevojë vendi t’i plotësojë, pikërisht përmes kredive të kësaj natyre, kredi afatgjata mesatarisht 20-vjeçare, me norma tepër të ulëta interesi dhe që kanë një periudhë 4-5 vjeçare të mospagimit, as të interesave dhe as të principalit të kredive, që përbën një instrument shumë të privilegjuar për të financuar ekonominë shqiptare. Mirëpo burimet në Ministrinë e Financave dhe ekspertë të pavarur të ekonomisë shpjegojnë se, pas situatës së krijuar në opinionin e ndërkombëtarëve, nga trazirat e fundit, Shqipëria do ta ketë shumë të vështirë të emetojë një Eurobond, ose thuajse të pamundur. Pasi risku më i madh për Eurobondin është vlerësuar edhe nga bankat emetuese, JP Morgan dhe Deutche Bank, ?????????????????????????????????????situata politike në vendin tonë, e cila nuk u parashikua se do të degjeneronte deri në këtë pikë. Më parë, Ministria e Financave dhe madje edhe vetë Kryeministri Berisha patën shprehur vullnetin për emetimin e një Eurobondi të dytë, me të cilin do të financohej deficiti gjatë këtij viti. Mirëpo në kushtet e tilla që po kalon vendi dhe pasigurinë që ka ngjallur tek investitorët e huaj, nuk ka asnjë bankë apo institucion financiar që në këto kushte do të blinte borxhin e Shqipërisë. Nëse Shqipërisë do t’i duhej një vlerësim, kompanitë normuese të borxhit, sigurisht që nuk do të merrte notë kaluese, jo nga treguesit ekonomik dhe financiare, por nga risku politik dhe ai që ka të bëjë me sigurinë. Vetëm pas stabilitetit të krijuar gjatë viteve të fundit, Shqipëria mundi që për herë të parë të emetonte një Eurobond në tregun ndërkombëtar për financimin e deficitit buxhetor, siç bëjnë të gjitha vendet e zhvilluara. Por me ngjarjet e fundit, kjo nuk ka shumë gjasa të ndodhë. Shembull i qartë në këtë rast është Greqia, e cila pas trazirave të fundit e ka pasur të vështirë të financojë buxhetin me Eurobonde, por edhe në rast se po, me interesa shumë të larta. Shqipëria mori gjatë vitit që shkoi një borxh 300 milionë euro, nëpërmjet emetimit të një Eurobondi në Bursën e Londrës, me afat shlyerje 5 vjet dhe një interes 7.5 %. Gerein Bell, Shef i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, e ka vlerësuar emetimin e Eurobondit Shqiptar si një tregues stabiliteti dhe kredibiliteti të ekonomisë shqiptare. Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka vlerësuar emetimin e Eurobondit Shqiptar, si një tregues stabiliteti dhe kredibiliteti të ekonomisë shqiptare. Më herët, gjatë vizitave të shkuara, FMN ka kërkuar që qeveria të jetë e kujdesshme, për monitorimin e borxhit dhe ka sugjeruar që të konsiderohen mjetet që sigurojnë huamarrje më të ulët. Qeveria shqiptare nga ana tjetër ka parë tregun ndërkombëtar, si një mundësi për të siguruar borxh, me kosto më të ulët sesa ofron tregu vendas ose bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet ankandeve të bonove të thesarit dhe obligacioneve. Kjo u realizua nëpërmjet emetimit të Eurobondit, duke marrë në konsideratë faktin se, ndryshe nga vendet e tjera të Rajonit dhe Europës, Shqipëria e ka borxhin e jashtëm shumë herë më të ulët se borxhi i brendshëm. Mirëpo të gjitha këto detaje teknike, që kanë të bëjnë me çështjet e buxhetit dhe borxhit, dalin jashtë vëmendjes, pas asaj që prodhoi politika e dhunës, por që në fakt janë jetike për ekonominë e të gjithë shqiptarëve. Praktikisht për shkak të këtyre që ndodhën, sot qeveria e Shqipërisë as nuk mund të çojë nëpërmend të emetojë një eurobond, fakt i cili është pranuar nga Ministri i Financave.