Financat: Kush përfiton nga taksa e re e makinave
Cilindrata, viti i prodhimit dhe lloji i karburantit që përdorni për makinën tuaj do të kenë rol të rëndësishëm në taksën që do të paguani, nëse mendoni të importoni apo të shisni atë që keni..
Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, gjatë një interviste për televizionin “Klan” u shpreh dje se udhëzimi i ri për këtë taksë të re vjen në kuadër të një sërë detyrimesh që duhen përmbushur. “Kjo është në vazhdën e detyrimeve që ne kemi ndaj qytetarit për një ambient të pastër, si dhe detyrimin në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare për të marrë masa për të ruajtur ambientin”, sqaroi Rushaj. Ndërkohë, që lidhur me taksën e re për makinat, që ka hyrë në fuqi së fundmi, zëvendësministri sqaroi se cilat janë pikat që garantojnë një taksë më të lirë për pronarët e automjeteve. “Udhëzimi në total i referohet cilindratës së mjetit, vitit të prodhimit dhe llojit të karburantit, kjo me filozofinë që nëqoftëse përdor benzinë, taksa është më e vogël sesa kur përdor naftë. Po kështu, makinat që kanë më pak vite përdorimi në Shqipëri kanë një taksë më të lirë sesa ato që kanë jetëgjatësi më të madhe sesa të parat”, u shpreh zëvendësministri i Financave. Në thelb, taksa e re e makinave favorizon mjetet që janë prodhuar më vonë, pra kanë më pak vite përdorimi, makinat që kanë një cilindrat të ulët dhe që punojnë me lëndë djegëse me sa më pak impakt në ambient.
Përllogaritja e taksës
Udhëzimi i ri i Ministrisë së Financave përcakton se përllogaritja e taksës së importit të një makine apo të shitjes së saj brenda vendit do të bëhet përmes një formule standarde. Taksa e re e makinës përllogaritet, duke përfshirë cilindratën, koeficientin fiks për çdo vit përdorimi, si dhe taksën fikse për llojin e karburantit. Kështu, nëse marrim si shembull importimin e një automjeti me cilindratë 2500 cm3, e prodhuar në vitin 2005, dhe që punon me naftë, përllogaritja e taksës do të ishte: 2500 cm3 x 5 (vite që nga prodhimi 2010-2005) x 0.5 koeficenti fiks për çdo vit përdorimi x 25 taksa fikse për llojin e karburantit, taksa që duhet të paguhet në fund është 156,250 lekë.