Meta në Shkup: Zbatoni “Marrëveshjen e Ohrit”
Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta u takua dje me homologun e tij maqedonas, Antonio Milloshoski, në kuadër të vizitës zyrtare në vendin fqinj dhe u prit nga Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Meta vlerësoi gjithashtu veprimtarinë e Parlamentit maqedon për miratimin e ligjeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit dhe shprehu besimin për vazhdimësinë e angazhimit në miratimin e të gjithë kuadrit ligjor që buron nga kjo marrëveshje, për të siguruar zbatimin e plotë të saj. “E ardhmja e Ballkanit është BE-ja si dhe aplikimi i standardeve europiane për pakicat kudo”, është shprehur Meta, në takimin me Milloshoskin. Ata vlerësuan rolin e veçantë të dy vendeve për sigurimin e një bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv, në interes të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon. Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se bisedimet mes dy delegacioneve u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit dypalësh. Meta evidentoi rëndësinë e veçantë të njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia dhe vlerësoi se opinioni i GJND-së, i shërben stabilitetit dhe paqes në rajon. Ministri i Jashtëm, Ilir Meta u takua dhe me kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, me të cilin ka diskutuar për nxitjen e proceseve integruese në rajon dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh. Në këtë kontekst, duke bërë një vlerësim të veçantë për opinionin e GJND-së, Meta përshëndeti edhe miratimin nga Parlamenti i Maqedonisë të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Kosovën dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me këtë vend fqinj, duke i cilësuar këto si veprime në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.