E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjashtëmujori, TIA rritje me 9.8 për qind



Gjysma e parë e vitit ka rezultuar pozitive për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, me një rritje 9.8 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në një njoftim për shtyp, TIA bën me dije se plot 644, 914 pasagjerë kanë udhëtuar nëpërmjet këtij aeroporti, gjatë gjashtë muajve të parë të 2010-ës. Në analizën e performancës, për pjesën e parë të vitit rezulton se aeroporti regjistroi 9,360 lëvizje të trafikut ajror (ATM) dhe ka përpunuar 921 tonë mallra. Në përqindje këto shifra përfaqësojnë një rritje prej 2.7 për qind të ATM-ve, dhe 1.6 për qind të transportit të mallrave. “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vazhdon të rritet me ritme konstante vit pas viti, gjashtëmujori i parë i vitit 2010 tregon shifra mjaft premtuese duke konsideruar këtu faktin se piku për sezonin e verës pritet këtë muaj dhe në muajin në vijim, pra korrik dhe gusht. Pasagjerët, të cilët fluturojnë nëpërmjet TIA-s, janë entuziastë dhe të gatshëm të shijojnë sezonin veror, ndërsa ne jemi të përgatitur t’u ofrojmë një mjedis të sigurt, i cili plotëson të gjitha kërkesat e tyre” - thotë Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e TIA-s, Andrea Gebbeken, lidhur me rezultatet e 6- mujorit të parë të 2010-ës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›