Vizat, Fule: Raporti i ekspertëve inkurajues
“Kemi një raport shumë inkurajues të ekspertëve për liberalizimin e vizave”.
Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule gjatë një prononcimi në “Tv Klan” tha dje se ka një raport inkurajues në lidhje me plotësimin e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave. “Kam qenë gjithmonë optimist për procesin e vizave për Shqipërinë, aq më tepër duke parë rezultatet shumë të mira të Qeverisë shqiptare në përmbushjen e udhërrëfyesit. Së fundmi kishte një mision ekspertësh në Shqipëri dhe ato që kam dëgjuar në raportin e ekspertëve janë shumë inkurajuese. Shpresoj shumë që në shtator, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të fillojë një proces, në fund të të cilit qytetarët e Shqipërisë do të mund të udhëtojnë pa pasur nevojë për viza” u shpreh Fule, gjatë një prononcimi për “Tv Klan”. Komisioneri për Zgjerimin u shpreh i kënaqur me hyrjen e opozitës në Parlament, por shprehu sërish shqetësim për mungesën e zgjidhjes së krizës politike mes maxhorancës dhe opozitës. “Jam i kënaqur që partitë politike në Shqipëri janë rikthyer në Parlament, por njëkohësisht unë shoh një hendek në dialogun midis Qeverisë dhe opozitës dhe kam frikë se nuk janë zgjidhur siç duhet arsyet e situatës politike. Pra mbetet ende punë për të bërë për forcat politike shqiptare, bazuar mbi parimet që tashmë i kemi përsëritur disa herë kushtetutshmëria dhe transparenca”, u shpreh Fule. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, gjatë një takimi që zhvilluan në muajin qershor në Strasburg, u shprehën se liberalizimi i vizave dhe statusi kandidat për Shqipërinë do jepen brenda muajit nëntor të këtij viti. Sekretari i Shtetit Spanjoll, Diego Lopez Garrido garantoi finalizimin me sukses të dy prej objektivave më të mëdha të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian.