Financat: Nuk heqim dorë nga eurobondet
Tirana zyrtare ka në plan të emetojë eurobondet dhe nuk heq dorë nga ky qëllim pavarësisht rritjes së shpejtë të interesave të borxheve në vendet në zhvillim dhe pavarësisht faktit se kriza në Greqi shtyu qeverinë e Republikës së çekisë të shtyjë për më vonë emetimin e eurobondeve të veta. Lajmi u raportua dje nga agjencia e specializuar e lajmeve ekonomike “Bloomberg”.
Bloomberg citoi zëvendësministrin e Financave, Nezir Haldeda, duke thënë se qeveria shqiptare po diskuton me investitorët dhe do të emetojë eurobondet “sot (e premte) apo ndoshta javën tjetër”.
“Ne nuk besojmë se Greqia do të ndikojë në marrëveshjen tonë”, tha Haldeda i cituar nga “Bloomberg”.
Qeveria shqiptare kishte në plan t’i shiste eurobondet e para të enjten, por sipas burimeve bankare të cituara nga agjencia “Reuters”, vendosi të bëjë një përpjekje tjetër javën e ardhshme. Shqipëria synon të shesë deri në 400 milionë euro tituj borxhi të pagarantuar, të ndarë në letra me denominim minimal 50 mijë euro dhe që rriten me shumëfisha të 1 mijë eurove, por jo më shumë se 99 mijë euro për titull. Shqipëria ka aktualisht vlerësimin B+ nga Standard & Poor’s dhe po në këtë nivel janë edhe Bjellorusia, Nigeria dhe Senegali. Titujt e borxhit të Senegalit të emetuara në dollarë amerikanë përkundrejt interesit fillestar prej 8.75 për qind dhe që maturohen më 2014, u shitën në tregun sekondar për 7.94 për qind gjatë ditëve të fundit. Më 15 prill, pra kur kriza greke nuk e kishte arritur ende kulmin, këta tituj shiteshin për 7.78 për qind, sipas të dhënave të “Bloomberg”. Këto interesa janë 30 për qind më të ulëta se ato të ofruara në tregun sekondar për bondet pesëvjeçare të Greqisë, të cilat po shiten këto ditë përkundrejt interesit prej 11.4 për qind. Vlerësimi i Standard & Poor’s për Greqinë është BB+ ose tri shkallë më sipër sesa vlerësimi për Senegalin apo Shqipërinë.
Mendimi i investitorëveInteresi prej 7 për qind mund të jetë “një pikë nisjeje e mirë” për Shqipërinë si ofertë për investitorët, megjithëse Tirana ndoshta do të duhet të përfshijë në ofertë edhe një “Primi për likuiditetin”, deklaroi Martin Marinov, një menaxher fondi investimesh në Vjenë, i cili është takuar gjatë ditëve të fundit me zyrtarët e Ministrisë së Financave për të diskutuar ofertën për blerjen e bondeve. “Ata lanë përshtypje shumë të mirë”, tha Marinov, i cili sipas “Bloomberg” po mendohet për të blerë apo jo bondet shqiptare. Primi për likuiditetin nënkupton një pjesë të interesit që investitorët e shtojnë për të mbuluar rrezikun që bondet shqiptare t’i mbeten në dorë për një kohë të gjatë, pra nuk arrijnë të gjejnë treg për t’i rishitur.
Nuk ka datë për emetiminShqipëria ka ndër mend të shesë nga 300 në 400 milionë euro bonde me afat maturimi pesëvjeçar. Shqipëria shpresonte ta hidhte një hap të tillë në vitin 2007, por u detyrua të tërhiqet disa herë derisa mbërriti në tentativën e tretë që po kryhet aktualisht.
Haldeda deklaroi javën e kaluar se bondet do të emetohen nga fundi i prillit. Por në intervistën e dytë për “Bloomberg”, Haldeda refuzoi të japë një datë konkrete për emetimin. “Ne po e vëzhgojmë tregun me kujdes”, tha ai. Ndërkohë, shumë qeveri të vendeve në zhvillim kanë shtyrë për më vonë emetimin e bondeve, jo se nuk mund të shesin, por se një hap i tillë tani mund të kërkojë interesa më të larta se në një situatë normale. Përveç çekisë, edhe Indonezia, ekonomia më e madhe në Azinë Juglindore shtyu për më vonë planin për të shitur bonde me vlerë 100 miliardë jenë japonezë, (1.1 miliardë dollarë).
Rreziku i dështimit, i vogëlPavarësisht çoroditjes së vërejtur mes zyrtarëve shqiptarë për datën e emetimit të eurobondeve dhe problemeve, ekspertët ndërkombëtarë vijojnë të mendojnë se Shqipëria do të arrijë të gjejë blerës për së paku një pjesë të shumës që dëshiron. Vetëm se situata mund të përkeqësohet në këtë rast. Qeverisë i nevojiten sa më parë 200 milionë euro për të shlyer para kohe kredinë me interesin marramendës prej euribor plus 9.65 për qind që tërhoqi vitin e kaluar. Kjo kredi skadon në vitin 2012, kur qeverisë do të mund t’i duhet të shlyejë principal dhe interesa borxhi total prej afërsisht 900 milionë dollarësh. Një situatë e tillë mund ta çojë Shqipërinë në prag të kolapsit financiar, në rast se qeveria nuk arrin të shesë eurobonde deri në atë kohë. Investitorët e kanë të qartë këtë gjë dhe shumë prej tyre mendojnë se mund të tërheqin interesa më të larta nga Shqipëria sesa ai i synuari prej 7 për qind.
#