E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 mijë studentë votojnë për përfaqësinë e tyre

Universiteti i Tiranës, mbyllen zgjedhjet për këshillat studentorë. çdo fakultet me një qendër votimi

U zhvilluan dy ditë më parë nga ora 9:00 deri në orën 16:00 zgjedhjet për këshillat studentorë të Universitetit të Tiranës. Procesi ka qenë i njëjtë në të tetë fakultetet e universitetit. Më shumë se 26 mijë studentë, u mblodhën për të zgjedhur anëtarët e këshillave studentorë, të fakulteteve ku kryejnë studimet e larta. Sipas Universitetit të Tiranës, pjesëmarrja arriti deri në 60 për qind në disa fakultete, shifër kjo që thyen rekordet e deritanishme. Në total votuan më shumë se 10 mijë studentë. çdo fakultet kishte vetëm një qendër votimi, ku votuan studentët e secilit departament. Sipas studentëve, votimi në shumë raste ka qenë me pjesëmarrjen e më shumë se trefishit të zgjedhësve, krahasuar me votimet për poste politike. Procesi u mbyll në orën 16:30 në të gjitha fakultetet, duke u dhënë mundësinë të gjithë studentëve që kishin dëshirë të votonin, edhe pas orarit zyrtar të mbylljes së procesit. Pas numërimit të fletëve të papërdorura të votimit, nënshkrimeve të hedhura në regjistrat e votuesve, dhe votave të kutive, në orën 21:30 u shpallën rezultatet përfundimtare, në të gjitha fakultetet nga komisionet e zgjedhjeve të fakulteteve. “Procesi, me mbikëqyrjen e rektoratit, dekanateve dhe përfaqësuesve të studentëve, kaloi pa asnjë problem, dhe në fund të procesit nuk pati vërejtje e ankime zyrtare mbi rezultatet e nxjerra nga KZF-të”, sqaroi zyrtarisht Rektorati i Universitetit të Tiranës.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›