Në shtator do rritet numri i të prekurve
Shtatori pritet të jetë një muaj i vështirë për të gjithë shqiptarët. Sipas mjekëve infeksionistë, gjatë muajit shtator pritet të rritet numri i personave të prekur nga virusi A H1N1, ose siç njihet ndryshe gripi i derrave. Sipas mjekëve, shëndeti i një personi që preket edhe nga virusi i gripit sezonal, por edhe nga A H1N1, është i rrezikuar, ndaj këshillohet vaksinimi i të gjithë popullatës. Në një situatë të tillë, mjekët rekomandojnë larjen e duarve sa më shpesh me sapun. Goja dhe hundët të mbulohen me shami. Njerëzit duhet të pushojnë dhe të përdorin sa më shumë lëngje e të ushqehen në mënyrë të shëndetshme. Personat e shëndoshë duhet të kenë kontakt sa më të vogël me personat e sëmurë por edhe me ambientet spitalore. Ndërkohë, sipas të dhënave, Instituti i Shëndetit Publik deri më tani të gjitha rastet e shfaqura në Shqipëri me virusin A-H1N1 kanë simptoma të lehta, si temperaturë më e ulët se 38 gradë celcius, dhembje koke, dhembje fyti, dhembje muskulare dhe lodhje. Sipas ISHP-së, vetëm dy raste të mundshme paraqesin shenja klinike, për të cilat u gjykua shtrimi në spital dhe vetëm për një rast u fillua trajtimi i menjëhershëm me Tamiflu. Të gjitha rastet e tjera nuk kanë pasur komplikacione dhe nuk janë shtruar në spital. Izolimi i tyre është kryer në kushtet e shtëpisë. Dy raste janë trajtuar në kushte ambulatore dhe nën mbikëqyrjen e mjekut me Tamiflu. Në Shqipëri janë konfirmuar deri tani 8 raste me gripin e derrit dhe 11 raste të tjera dyshohen si të mundshme.