Financat kundër skemës së sigurimit të spitaleve

Zgjerimi i skemës së mbulimit të shërbimeve shëndetësore edhe në spitalet rajonale, nuk është përkrahur nga Ministria e Financave.
Ministria e Shëndetësisë dhe Kujdesi Shëndetësor, pas rezultateve të arritura në administrimin e qendrave të vogla shëndetësore, propozuan më pak probleme me ilaçet, infrastrukturën, pagat e punonjësve të shëndetësisë, edhe në spitalet rajonale.
Kjo do të realizohej sipas një projekti ku financuesi dhe administruesi i spitaleve rajonalë do të ishte një financues i madh, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Një nga reformat më të rëndësishme në mjekësi të projektuara me ambicie nga drejtuesit e sektorëve shëndetësorë mund të dështojë pas memo-s së Ministrisë së Financave drejtuar Këshillit të Ministrave më datë 23 tetor.
Pas shqyrtimit të projektit, ekspertët e Financës propozojnë analizë të detajuar të këtij projekti dhe shtyrje të tij, në një kohë kur buxheti të përballojë koston e kësaj reforme prej 3 miliardë lekësh.
Ja se çfarë shkruajnë në mënyrë të drejtpërdrejt për projektin e shëndetësisë specialistët e llogaritjes: “Ministria e Financave është ndeshur me propozimin për përfshirjen në skemën e financimit të ISKSH-së dhe kujdesit dytësor. Së pari, ne gjykojmë që është e domosdoshme të bëhet përmes hartimit përfundimtar të ligjeve të reja të sektorit, sikurse edhe përmes hartimit të akteve nënligjore për treguesit e performancës dhe kriteret e financimit”, shkruhet në memo.
Sipas sqarimit të kësaj shkrese, për më tepër, është e domosdoshme të bëhet një analizë e hollësishme e impakteve financiare dhe të ecurisë lidhur me mekanizmin e implementuar në kujdesin parësor dhe të nxirren konkluzione e rekomandime për implementimin në një të ardhme edhe në kujdesin dytësor.
“Gjithashtu është e domosdoshme të zhvillohet një punë përgatitore me spitalet ku do të implementohet skema. Për sa i përket faturës financiare të kësaj reforme, sipas përllogaritjeve të hamendësuara nga ISKSH dhe Ministria e Shëndetësisë, rezulton se kemi të bëjmë me një kosto buxhetore minimalisht afro 3 miliardw lekë për vitin 2009”, përfundon analiza e Financës drejtuar Kryeministrit Sali Berisha.