E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji, pranga e zinxhirë vetëm në raste ekstreme

Nga Tedi Blushi
Drafti për policinë e Burgjeve zbut masat ndaj të dënuarve. Drafti parashikon përdorimin e armëve, zinxhirëve apo xhaketave të forcës vetëm në raste ekstreme. Shfuqizohet transferimi i gardianëve. 

TIRANE- Armët, zinxhirët, hekurat, prangat e duarve apo xhaketat e forcës nuk do të përdoren më rëndom nëpër burgje sikundër ka ndodhur deri më tani. Mbajtja si dhe përdorimi i tyre nga ana e gardianëve do ndalohet brenda perimetrit të institucioneve të riedukimit me përjashtim të rasteve ekstreme, sikundër është arratisja apo revolta. Madje edhe në këto raste përdorimi i tyre nuk do të zgjasë më shumë sesa vetë ngjarja. Ky është propozimi që bën qeveria në draftin e depozituar së fundmi për miratim në Kuvend, “Për Policinë e Burgjeve”. Në relacionin shoqërues, nisma në fjalë argumentohet me arsyetimin që “Policia e Burgjeve të mos vlerësohet vetëm si forcë sigurie por edhe si strukturë ndihmëse, në procesin e rehabilitimit të personave të dënuar me burgim, duke minimizuar sa të jetë e mundur, profilin e saj si një forcë policie apo ushtarake”.
Transferimi
Risia tjetër e këtij projektligji është se gardianët tashmë nuk mund të penalizohen më duke u transferuar nga një burg në tjetrin. Nga ekzekutivi kjo masë disiplinore e aplikuar është parë si e panevojshme. Bazuar në draftin e propozuar, transferimi i punonjësit të Policisë së Burgjeve mund të bëhet nga drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, vetëm për nevoja dhe në interes të punës, pasi më parë të ketë marrë pëlqimin e punonjësit.
Sindikata
Në këtë projektligj është njohur për herë të parë e drejta e punonjësve të Policisë së Burgjeve të organizohen në sindikata, me përjashtim të drejtorit të kësaj strukture. Ndërkohë, gjatë veprimtarive sindikaliste atyre u ndalohet të mbajnë uniformën e policisë si dhe përdorimi i armëve apo ndonjë mjeti tjetër që përdorin në ushtrim të detyrës së tyre.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›