E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitmarrja, kapet specialisti i prokurimeve

Nga Gerti Xhaja, Artur Korriku
Inxhinieri Shefik Gjata i ka bërë presion firmës së ndërtimit që kishte rikonstruktuar një godinë të Konvaleshencës se s' do të merrte në dorëzim objektin, nëse nuk i paguanin nën dorë shumën prej 1 mijë euro. 

DURRES Arrestohet për mitmarrje Shefik Gjata, specialist i prokurimeve pranë shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës. 54-vjeçari nga Tirana e me profesion inxhinier, u vu në pranga gjatë operacionit të koduar "Fasada gri", i cili u organizua dje nga Drejtoria kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Task-Forcë. Burime zyrtare nga dikasteri i Rendit, bëjnë të ditur se Gjata u kap në flagrancë teksa po i merrte shumën prej 1 mijë eurove përfaqësuesit të firmës që kishte kryer punimet për rikonstruksionin e Konvaleshencës së Ministrisë së Brendshme në Durrës. Hetimi ndaj specialistit të prokurimeve ka nisur menjëherë pas informacioneve të sakta të siguruara në rrugë operative. Nga veprimet hetimore paraprake të kryera nga specialistët e Drejtorisë kundër Krimit Financiar, ka rezultuar se Shefik Gjata, duke përfituar nga detyra, i ka bërë presion firmës së ndërtimit që kishte rikonstruktuar një godinë të shtëpisë së pushimit. Mësohet se 54-vjeçari u ka thënë drejtuesve të firmës se nuk do të merrte në dorëzim objektin e rikonstruktuar. Inxhinieri Gjata ka kërkuar një shumë të majme që kap vlerën e 1 mijë eurove. Por ryshfeti i majmë i kërkuar nga specialisti i prokurimeve e ka çuar atë në pranga. Duke përdorur metoda speciale të hetimit, efektivat blu i kanë vënë byzylykët e hekurta në duar Shefik Gjatës, sapo ai ka marrë nga përfaqësuesi i firmës së ndërtimit shumën e 1 mijë eurove. Autori i krimit është dërguar në qelitë e paraburgimit, ku dhe është marrë në pyetje. Specialisti i prokurimeve pranë shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës, akuzohet për "korrupsion pasiv, kryer nga persona që ushtrojë funksione publike", e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Pritet që Gjykata e Shkallës së Parë të Durrësit të vendosë masën e sigurisë ndaj Shefik Gjatës.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›