E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, himni grek, sherr mes dy shkollave

Nga Ismail Xhaferri
Përkujtimi i 68-vjetorit të luftës italo-greke, shënon incidentin e parë në 18 vitet e fundit në Gjirokastër. Ekzekutimi i himnit kombëtar të Greqisë nga fëmijët e një shkolle 9-vjeçare të gjuhës greke, shkaktoi përplasje me nxënësit e gjimnazit. 

GJIROKASTER- Përkujtimi i 68-vjetorit të rezistencës së popullit grek ndaj pushtimit fashist, shënoi dje në Gjirokastër incidentin e parë gjatë 18 viteve të fundit. Ekzekutimi i himnit kombëtar të Greqisë nga fëmijët e një shkolle 9-vjeçare të gjuhës greke në lagjen "Varosh", ka shkaktuar përplasje me nxënësit e gjimnazit të këtij qyteti. Në momentin që po ekzekutohej himni grek, maturantë dhe nxënës të vitit të tretë të shkollës së mesme të përgjithshme "Siri Shapllo" kanë dalë në dritare dhe kanë filluar të pështyjnë e të shajnë nxënësit e shkollës 9-vjeçare. Reagimi i menjëhershëm i mësuesve, ka bërë që incidenti mes dy shkollave të cikleve të ndryshme të mbyllet me kaq. Mësohet se në lidhje me këtë ngjarje nuk ka pasur ndonjë reagim nga asnjë prej organizmave që mbrojnë interesat e minoritetit grek në jug të vendit tonë, si organizata OMONIA apo dhe dega lokale e PBDNJ-së. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme janë kryer një sërë aktivitetesh me rastin e përvjetorit të "Jo"-së historike që populli grek i tha në vitin 1940 pushtimit nga Italia fashiste.
PËRVJETORI
Veprimtari të shumta të karakterit përkujtimor dhe historik janë zhvilluar dje në zonën e minoritetit, në Gjirokastër. Në fshatin Bularat të Dropullit të Sipërm është përkujtuar 68-vjetori i festës kombëtare të Greqisë, "To megalo ohqi" ose në shqip "JO"-ja greke, e cila simbolizon rezistencën e popullit fqinj ndaj pushtimit fashist. Në ceremoninë e organizuar në fshatin Bularat, ishin të pranishëm; ambasadori grek në Tiranë, Nikollaos Bazios; konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Joanis Rizopulos, prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera; kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule si dhe banorë të zonës së minoritetit. Sipari i aktiviteteve është çelur me një meshë të madhe në kishën e këtij fshati, ndërsa më pas janë bërë homazhe në varrezat e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke, të cilat ndodhen në këtë fshat. E ndërsa në fshatrat ku jeton minoriteti etnik grek valëvitja e flamurit kombëtar dhe këndimi i himnit të Republikës së Greqisë ka qenë një veprim më se normal, në qytetin e Gjirokastrës ka shënuar një incident të kufizuar.
INCIDENTI PËR HIMNIN GREK
Një koncert me këngë e recitime, i organizuar nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare greke pranë kishës ortodokse të Shën Mihajllos në lagjen "Varosh", ka pasuar me reagimin e nxënësve të shkollës së mesme të përgjithshme "Siri Shapllo". Sapo ka nisur ekzekutimi i himnit kombëtar të Greqisë pas atij të Shqipërisë, disa nxënës të vitit të tretë e të katërt nga kati i tretë i godinës së gjimnazit, kanë nisur të fishkëllejnë e të shajnë fëmijët e shkollës tjetër që mësojnë në gjuhën greke. Të alarmuar, mësuesit e shkollës 9-vjeçare kanë ndërhyrë duke mbyllur incidentin. Për këtë ngjarje është njoftuar edhe Drejtoria Rajonale e Arsimit në Gjirokastër. Drejtues të këtij institucioni arsimor e kanë komentuar këtë incident të mbyllur dhe kanë kërkuar mos amplifikimin e ngjarjes.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›