E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, buxheti i KQZ-së 7 milionë dollarë

Projektbuxheti i shtetit për vitin 2009 ka planifikuar një vend të konsiderueshëm edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas draftit të hartuar nga Ministria e Financave këtij institucioni i janë llogaritur saktësisht 695 milionë lekë të reja.

Në tabelën e buxhetit, në pjesën e tavaneve janë parashikuar shpenzime personeli me sigurimet në vlerën 69 milionë lekë, shpenzimet korrente 624 milionë, ndërsa shpenzimet kapitale, ose të cilësuara të brendshme, në masën 8 milionë.

Totali i shpenzimeve tavan për vitin 2009 ka mbërritur deri në vlerën 701 milionë lekë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk figuron të ketë bërë kërkesa shtesë për ndarjen e fondit.

Pas shqyrtimit që ka bërë Ministria e Financave, ka dalë në konkluzionin se nga ky parashikim duhen ulur vetëm shpenzimet kapitale, që shkojnë vetëm në 2 milionë lekë.

Nëse i referohemi zgjedhjeve të fundit për pushtetin lokal, më 18 shkurt 2007, shohim se kostoja e këtij procesi ishte rreth 7 milionë dollarë.

Një shumë pothuajse e njëjtë me atë që është vënë në dispozicion këtij institucioni për administrimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të qershorit 2009.

Fondi i akorduar nga buxheti i shtetit për KQZ-në gjatë vitit që po mbyllim ishte në vlerën 124.2 milionë lekë. Në rastet e proceseve të pjesshme zgjedhore, me vendim të qeverisë janë akorduar fonde të tjera shtesë.

Në vitin 2007, kur u mbajtën edhe zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor, fondi i akorduar fillimisht ishte në masën 348 milionë lekë.

Po sipas të dhënave rezulton se për zgjedhjet e vitit 2005, fillimisht u akorduan nga buxheti i shtetit rreth 146 milionë lekë.

Pavarësisht asaj çka ka programuar buxheti dhe që është hartuar nga Ministria e Financave, gjithçka rreth fondit do të saktësohet pas ndryshimeve të pritshme në Kodin Zgjedhor.

Ndryshimet që pritet të kryhen do të sqarojnë shumë aspekte të administrimit të zgjedhjeve dhe që janë të lidhura drejtpërdrejt me koston e procesit zgjedhor.

Nga sa është thënë deri më tani, rezulton se numri i komisionerëve do të ulet, ashtu sikurse do të votohet vetëm me një fletë votimi.

Të dy këto elementë çojnë në uljen e kostos së procesit zgjedhor. Pavarësisht kësaj, mbetet e hapur ideja e përfshirjes së emigrantëve në procesin e votimit, çka do të çonte pa diskutim në rritjen e kostos për KQZ-në.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›