E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borchardt: “Zgjidhja e krizës politike në vend, me pas PE-ja diskuton statusin për në BE”

Ambasadori: “Ndërkombëtarët, në pritje të një zgjidhjeje ndaj krizës politike”

Ndërkombëtarët shtojnë thirrjet e tyre për zgjidhjen e krizës politike, pasi është armiku kryesor për cenimin e proceseve integruese të vendit. Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, dje nga Elbasani theksoi se pasi të zgjidhet kriza, Shqipëria do të mund të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Borchardt ka nënvizuar se pas tejkalimit të ngërçit politik do të diskutohet për 32 kapitujt për statusin e vendit kandidat. “Problemet që keni pasur ju me procesin e zgjedhjeve do të vështirësojnë punën e Komisionit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Kjo është theksuar shumë shpesh nga Komisioni, i cili kërkon zgjidhje politike në Shqipëri”, - u shpreh ambasadori Borchardt. Diplomati gjerman theksoi se ndërkombëtarët po presin për një zgjidhje politike ndaj krizës politike në vend. Sipas përfaqësuesit gjerman në Shqipëri, vizat pritet të hiqen nga fundi i vitit. “Ne inkurajojmë në përmbushjen e kritereve. Besojmë se në vjeshtë do të diskutohet procesi i liberalizimit të vizave, kurse në fund të vitit do të hiqen vizat”, - tha Borchard.
Rezoluta
Disa ditë më parë u shty miratimi i Rezolutës për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentin Europian. Socialistët e komentojnë se shtyrja e miratimit të Rezolutës ka ardhur si pasojë e moszgjidhjes së krizës politike, ndërsa për demokratët ajo ka lidhje me çështjen e axhendës së Komisionit Europian. Draft-rezoluta e disa ditëve më parë, e hartuar nga disa anëtarë të Parlamentit Europian, i bënte thirrje Shqipërisë që të vendosë dialogun në Parlament dhe t’i japë fund krizës politike. “Vlerësojmë me kënaqësi përgjigjet që vendi i dha Pyetësorit më 14 prill 2010 dhe që i hap rrugën përgatitjes së opinionit nga BE-ja për kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. Në të njëjtën kohë theksohet se progresi i një vendi kandidat në BE varet nga aftësia e tij për të përmbushur kriteret që rrjedhin nga Marrëveshja e Kopenhagenit, që përfshin stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë”, - ishte shkruar në një nga amendamentet e paraqitura nga raportuesi Nikolas Kauntis. Më tej ai ka shprehur keqardhjen për krizën politike në Shqipëri dhe u bën thirrje palëve të rivendosin dialogun politik. “Shprehim keqardhjen për krizën politike dhe institucionale që ka pasuar zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 dhe konsiderojmë që dialogu parlamentar është i nevojshëm për funksionimin e shtetit ligjor dhe i domosdoshëm për të avancuar reformat kyçe”, - ka propozuar Kauntis.
Vizat
Mosangazhimi i palëve në zgjidhjen e krizës politike prej 10 muajsh është një kërcënim edhe për liberalizimin e vizave. Kreu i Komisionit Europian, Shtefan Fyle, ka theksuar se liderët politikë në Shqipëri duhet të jenë të angazhuar për të gjetur një zgjidhje përpara se Parlamenti Europian dhe Këshilli Europian të marrin në konsideratë vlerësimin për Shqipërinë. Edhe reporterja e Parlamentit Europian, Tanja Fajon, tha se vlerësimi për heqjen e vizave do të jetë tërësisht teknik, por vendimi që do të merret nga Parlamenti Europian do të jetë tërësisht politik. Ajo ka nxitur palët që të përfshihen për një zgjidhje, sepse kështu, vlerëson Fajon, do të ishte më e lehtë për të gjithë ne kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave.

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›