E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali me ligjin “Për auditin”, qeveria vepron kundër Gjykatës Kushtetuese

Ekspertët e qeverisë çojnë për votim në Kuvend të njëjtin nen pa e përmirësuar

Ervin KOÇI

Qeveria ka shënuar një tjetër skandal ligjor në raport me Gjykatën Kushtetuese. Ligjin "Për Auditimin Ligjor...", të cilin Gjykata Kushtetuese e shpalli si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me vendimin nr.3, datë 05.02.2010, ku vendosi njëzëri ta deklarojë nenin 58 antikushtetues, qeveria shqiptare përsëri vendosi ta rikalojë. Projekti ka kaluar edhe njëherë në qeveri me të njëjtat kushte duke vendosur penalitete deri në 100 milionë lekë për profesionistet e lirë dhe ndjekje penale në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas kësaj të fundit, në këtë ligj kishte papajtueshmëri me Kushtetutën në lidhje me VKM-në nr.150, dt.31.03.2000 të ndryshuar me VKM-në nr.625, dt.12.11.2001. Baza ligjore e këtij vendimi ishin nenet 131 shkronja “a”, 134 shkronja “f” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenet 49/2 e 51 të ligjit nr.8577, dt.10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”. Pasi dëgjoi relatorin e çështjes Xhezair Zaganjori, përfaqësuesin e Organizatës Profesionale të Ekonomistëve, i cili kërkoi pranimin e kërkesës, përfaqësuesit e subjektit të interesuar: Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar që kërkuan rrëzimin e saj, Gjykata Kushtetuese mori vendimin për rrëzimin e këtij ligji.

Grupet e interesit
Grupet e interesit (kontabilistët) të prekura nga ky ligj, pretendonin se, neni 58 i ligjit është antikushtetues, pasi parashikon si kundërvajtje penale jashtë dispozitave të Kodit Penal, përvetësimin e padrejtë të titullit të ekspertit kontabël duke e shoqëruar edhe me sanksionin përkatës, gjobë ose burgim deri në 2 vjet. Gjykata thekson se Kodi Penal përbën ligjin më të rëndësishëm, ku përmblidhen në mënyrë të sistemuar dispozitat penalo-juridike. Ky Kod përmban jo vetëm parimet kryesore mbi të cilat duhet të mbështetet drejtësia penale, por edhe veprat të cilat konsiderohen si të dënueshme. Një nga parimet kryesore që përshkon këtë Kod është edhe parimi i ligjshmërisë që nënkupton parashikimin me ligj të veprave penale dhe mosdënimin për një vepër që nuk është parashikuar shprehimisht si krim ose kundërvajtje penale. Qëllimi i këtij parimi është jo vetëm respektimi i ligjit për çdo rast dhe për çdo vepër penale, por edhe njohja e subjekteve me të gjitha ato veprime apo mosveprime, të cilat konsiderohen të dënueshme. Duke qenë se Kodi Penal, krahas Kushtetutës, është burimi kryesor i së drejtës penale dhe në zbatim të parimit të ligjshmërisë, parashikimi i veprave penale duhet të bëhet pikërisht në këtë Kod, si ligji bazë që parashikon krimet dhe kundërvajtjet penale ose në një ligj të barazvlefshëm me të nga fuqia juridike. Një gjë e tillë i vjen në ndihmë shtetasve, të cilët mund të orientohen më mirë në kuadrin e gjerë të ligjeve që mund të parashikojnë vepra penale, me qëllim njohjen e tyre me ndalimet ligjore sipas fushave të ndryshme.

Kushtetuesja
Gjykata çmon se dispozita që e klasifikon një veprim të caktuar, në rastin konkret mbajtjen e padrejtë të titullit të ekspertit kontabël, si vepër penale, jashtë dispozitave të Kodit Penal dhe si pjesë e një ligji të miratuar me shumicë të thjeshtë të deputetëve, bie ndesh me parimin e kushtetutshmërisë, pasi prek drejtpërdrejt shtetasit në të drejtat dhe liritë e tyre duke mosrespektuar shumicën e cilësuar për këtë qëllim. Dënimi penal është masë shtrënguese që zbatohet nga shteti nëpërmjet gjykatave, në bazë të ligjit, kundër personave fajtorë që kanë kryer veprën penale. Ai dallohet nga masat e tjera shtrënguese që merr shteti ndaj personave që kryejnë vepra penale për shkak të pasojave që ka. Në interpretim të nenit 1/a të Kodit Penal, i cili parashikon se legjislacioni penal përbëhet nga ky Kod dhe ligje të tjera që parashikojnë vepra penal, Gjykata Kushtetuese çmon se për këtë qëllim, me ligje të tjera do të kuptohen ato akte të ligjvënësit që miratohen me shumicë të cilësuar prej 3/5 të anëtarëve të tij. Për këtë arsye, ligjvënësi duhej të kishte gjetur mekanizmin e përshtatshëm procedural që, në kuadër të garancisë për ushtrimin e profesionit të ekspertit kontabël dhe në përputhje me kriteret ligjore për këtë qëllim, të respektonte shumicën e cilësuar prej 3/5 për dispozitën që parashikon veprën penale. Gjykata ka tashmë praktikë të konsoliduar lidhur me respektimin e kritereve formale dhe materiale që vendos Kushtetuta, të cilat duhen respektuar gjatë procedurës ligjvënëse. Kështu, një nga kriteret është edhe kriteri formal i miratimit të një ligji që kërkon shumicë të cilësuar, në respektim të nenit 81/2 të Kushtetutës (vendime të GJK nr.19, dt.03.05.2007; nr.25, dt.15.12.2008). Nga sa më lart, Gjykata çmon se neni 58 i ligjit objekt shqyrtimi, që parashikon mbajtjen e padrejtë të titullit të ekspertit kontabël si kundërvajtje penale, nuk është në pajtim me nenin 81/2 të Kushtetutës.

Vendimi
Pasi shqyrtoi të gjithë argumentet e paraqitura nga grupet e interesit, Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 131 shkronja “a”, 134 shkronja “f” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenet 49/2 e 51 të ligjit nr.8577, dt.10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi: 1) Shfuqizimin e nenit 58 të Ligjit nr.10091, dt.05.03.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”. 2) Rrëzimin e kërkesës për pjesët e tjera. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe për shkak të boshllëkut ligjor që krijohet nga shfuqizimi i nenit 58 të ligjit nr.10091, dt.05.03.2009, hyn në fuqi 6 muaj pas botimit të këtij vendimi në Fletore Zyrtare.

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›