E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmetaj: “Berisha të ndalë abuzimin me shifrat ekonomike, të dëgjojë BB-në”



Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj, i bëri thirrje dje qeverisë që të ndalojë abuzimin me shifrat e ekonomisë e të përballet me realitetin e familjeve shqiptare.
Partia Socialiste, tha Ahmetaj, i bashkohet vërejtjes së Bankës Botërore për qeverinë, që të ketë një angazhim të besueshëm ndaj reformave ekonomike në këtë kohë krize. “Kemi tanimë disa muaj që përpiqemi t’i tërheqim vëmendjen kryeministrit më të papërgjegjshëm në rajon të dëgjojë këshillat e partnerëve ndërkombëtarë e të mos tentojë të manipulojë edhe të dhënat e ekonomisë siç bëri me votat. Prej shumë kohësh Shqipëria gjendet e zhytur në një krizë ekonomike nga e cila qeveria shqiptare jo vetëm që nuk po përpiqet ta nxjerrë, por përkundrazi, në mënyrë krejt të papërgjegjshme po përpiqet ta fshehë atë”, - u shpreh Ahmetaj. Duke mbështetur Bankën Botërore, deputeti socialist deklaroi se ndryshe nga shumica e vendeve në rajon, Shqipëria ka pasur një përkeqësim të ndjeshëm në pozicionet fiskale që nga viti 2007, me një dyfishim të deficitit buxhetor si përqindje e PBB-së nga -3.5% në 2007-n në -7.0% në 2009-n. Gjithashtu, sipas Bankës Botërore, rritja e ndjeshme e borxhit publik si përqindje e PBB-së po e çon borxhin shqiptar në nivele shumë të rrezikshme. Duke cituar Bankën Botërore, Ahmetaj u shpreh se “siç paraqitet nga parashikimet jorealiste fiskale të kohëve të fundit, qeveria shqiptare gjendet përpara një sfide besueshmërie, e cila mund të rrisë edhe më shumë kostot për borxhet që kërkon të marrë”.

Sot mbërrin në Tiranë Presidenti rumun për intensifikimin e marrëdhënieve në fushën e teknologjisë

Shqipëria dhe Rumania do të intensifikojnë marrëdhëniet në fushën e teknologjisë dhe atë të transportit. Për këtë qëllim sot mbërrin në Tiranë Presidenti i Rumanisë, Trajan Basesku. Delegacioni i Rumanisë do të nënshkruajë me palën shqiptare “Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e Komunikacionit dhe Informacionit të Teknologjisë”, si dhe “Protokollin e bashkëpunimit midis porteve”. Zyra e shtypit të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, njofton se vizita e presidentit rumun bëhet në Tiranë me ftesë të homologut të tij shqiptar. Vizita e Baseskut është njëditore dhe ceremonia e pritjes do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave. Në axhendën e vizitës dy presidentët do të japin një konferencë për shtyp. Gjithashtu, gjatë qëndrimit të në Shqipëri, presidenti rumun do të takohet dhe me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
“Në tjetër takim, ai me komunitetin arumun që jeton në vendin tonë, do të përmbyllë vizitën zyrtare njëditore të presidenti rumun Basesku në Shqipëri”, - thuhet në deklaratë.

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›