E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, përmirësohet bilanci tregtar

05/03/2010 Sipas INSTAT-it, eksporti i energjisë ka ulur deficitin për muajin janar

Shitja e sasive të mëdha të energjisë elektrike nga KESH-i kanë përmirësuar bilancin tregtar të vendit. Në konferencën e djeshme për shtyp lidhur me treguesit e tregtisë së jashtme, Instituti i Statistikave ka konstatuar në janar një rënie të deficitit tregtar me 38.3 për qind kundrejt të njëjtës periudhe të vitit të kaluar. Ky tregues ka rritur vlerën 20.5 miliardë lekë. Rënia e deficitit është pasojë e rritjes së ndjeshme të eksporteve me 44 për qind. “Në muajin janar të këtij viti u eksportuan 9.6 miliardë lekë mallra me ulje 3 për qind në krahasim me dhjetorin e vitit 2009 dhe rritje 44 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhe u importuan 30.1 miliardë lekë mallra me ulje 30.3 për qind krahasuar me periudhën e kaluar dhe rritje 8. 1 për qind me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Deficiti i këtij muaji është 20.5 miliardë lekë, duke shënuar një ulje me 38.3 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe 3.1 për qind ulje krahasuar me janarin 2009”, theksohet në njoftimin e INSTAT-it. Në rritjen e ndjeshme të eksporteve ka ndikuar kryesisht shitja e energjisë elektrike. Nga të dhënat e INSTAT-it, rezulton se në janar të këtij viti eksporti i grupit minerale, lëndë djegëse, energji elektrike arriti në 2.2 miliardë lekë nga 419 milionë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›