Ekspertët nuk e mendojnë të pamundur kuotën 140
Monedha shqiptare humbi terren gradualisht gjatë dhjetë ditëve të fundit dhe 1 euro u këmbye dje në mesditë për 139.2 lekë, një tendencë që u konsiderua “shqetësuese” nga ekspertët dhe tregtarët e valutës. Në tregun ndërbankar me shumicë, euro u këmbye deri në kuotën 139.7 lekë. Presioni mbi monedhën shqiptare u lehtësua pasdreke, kur në tregun ndërbankar euro ra nën kuotën 139, në një ditë që u vlerësua si shumë e luhatshme. “Euro ka qëndruar tashmë pranë ose mbi kuotën 139 lekë për shumë ditë, gjë që na bën të besojmë se kuota psikologjikisht e rëndësishme 140 nuk është më e paimagjinueshme”, komentoi një ekspert i këmbimit valutor.
Bankat po monitorojnë nga afër shpenzimet e buxhetit të shtetit, si dhe ecurinë e përgatitjeve të Ministrisë së Financave për emetimin e eurobondeve në muajin prill, për të parë se si do të jetë ecuria e deficitit buxhetor e për rrjedhojë, edhe e vlerës së lekut. Në rast se qeveria vijon të përdorë huamarrjen për të mbuluar shpenzimet e veta, atëherë deficiti i llogarisë korrente të vendit pritet të vijojë të rritet dhe bashkë me të, do të shtohet edhe largimi i valutës nga tregu shqiptar. Një studim i Fondit Monetar Ndërkombëtar tregon se deficiti buxhetor i një vendi të vogël e të hapur si Shqipëria, konvertohet automatikisht në deficit tregtar. Qeveria ka ndërmarrë disa masa për uljen e shpenzimeve, por këto masa konsiderohen si të pamjaftueshme për të garantuar stabilitet. Presioni mbi monedhën shqiptare ka qenë i lartë gjatë muajit të fundit, kryesisht si pasojë e përgatitjeve të investitorëve të huaj për riatdhesimin e fitimeve të realizuara gjatë vitit 2009. Për shkak se kompanitë e huaja i shesin produktet në lekë, kriza e vitit të kaluar nuk e ka korrektuar konsumin e këtyre produkteve nga ana e shqiptarëve. Ekspertët besojnë gjithashtu se edhe ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në mbrojtje të vlerës së lekut është e mundshme. BSH-ja reagoi për herë të parë në më shumë se një vit në mbrojtje të monedhës kombëtare javën e kaluar, kur në një mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës deklaroi se sipas vlerësimeve të saj, kushtet në terren flasin për stabilitet të kursit të këmbimit. BSH nuk ka ndërhyrë me shitje valute në treg që nga qershori i vitit të kaluar.
#