E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e fondeve, përmbyten 100 shtëpi

FIER/ Rreth 500 banorë janë ngritur me ujë në dhomat e tyre

FIER - Një lagje prej 500 banorësh në komunën Mbrostar Ura të rrethit të Fierit, të premten në mëngjes është gdhirë e gjitha nën ujë. Janë 100 shtëpi të cilat janë përmbytur duke krijuar probleme serioze për jetën e banorëve. Ata gjatë gjithë natës kanë përjetuar një tmerr të vërtetë për vetë faktin se ujërat befasisht janë futur jo vetëm në oborret e tyre, por edhe brenda dhomave ku flinin. Ndërkohë rrugët kryesore janë të mbushura me ujë duke paralizuar lëvizjet. Në këto kushte, shumë banorë dje kanë braktisur banesat e tyre. Familjet më problematike janë ato të Dule Zotkës, Rasim Kajës, Pajtim Buzit, Bektash Kajës, Isuf Lipes, Kadri Grëmit, Fatmir Grëmit, Enver Lipes e dhjetëra të tjerëve, të cilët dëshmojnë se u janë dëmtuar orenditë shtëpiake, të cilat u kanë dalë jashtë përdorimit. Banorët tregojnë se ujërat janë bllokuar në këtë lagje për shkak të punimeve që janë bërë për hapjen e një kolektori, i cili është lënë përgjysmë nga një firmë private për shkak të mungesës së fondeve. Kanalet e kolektorit janë bllokuar duke shkaktuar këtë situatë. Kryetari i komunës, Vait Baci, fajin për këtë situatë ia vë edhe nivelit të ulët që ka kjo lagje ndërsa banorët sipas tij kanë hedhur në kolektorë materiale të ndryshme, të cilat e kanë bllokuar atë. Sipas tij, të gjithë ujërat që vijnë nga kodrat përreth grumbullohen në këtë lagje. Pikërisht për këtë gjendje është investuar nga shteti për ndërtimin e një kolektori që do të lidhet me lumin e Semanit, i cili ka nisur por nuk ka përfunduar për shkak të fondeve. Ai kërkon ndihmën e shtetit urgjentisht për zgjidhjen e kësaj situate, e cila po rëndohet më shumë këto orët e fundit. Në kushtet e krijuara komuna ka vendosur një pompë për largimin e ujit, por gjithsesi situata s'ka ndryshuar shumë, për shkak të sasisë së madhe të ujërave. Ndërsa qysh nga mëngjesi i djeshëm, 7 fshatra të komunës Levan janë bllokuar me rrugën nacionale për shkak të përmbytjes së një nënkalimi në autostradën Levan-Vlorë në vendin e quajtur Qarr.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›