E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat, skema e kompensimit për kartat

Ministria e Financave zbardhi dje të plotë vendimin e fundit të qeverisë për kompensimin financiar të personave në nevojë, të cilët duhet të pajisen me letërnjoftimet e reja, të vlefshme për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Të gjithë personat në nevojë ekonomike duhet të aplikojnë për letërnjoftime brenda datës 20 qershor, në mënyrë që t‘iu njihet e drejta e kompensimit financiar. "Me vendimin e fundit të qeverisë është bërë një ndryshim thelbësor i mënyrës së kompensimit dhe nuk ka më hapësirë edhe për spekulime politike lidhur me mospajisjen e shtetasve me letërnjoftim si rezultat i paaftësisë paguese të qytetarëve", u shpreh dje zëvendësministri i Financave, Shehu. Përfituesit e vendimit të qeverisë do të jenë të gjithë paraplegjikët e tetraplegjikët, të dënuarit ose ata që ndodhen në paraburgim, si dhe anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian, duke iu kompensuar plotësisht në masën 1200 lekë, aq sa kushton letërnjoftimi. Po ashtu, të gjithë shtetasit që marrin pension minimal në fshat dhe në qytet, studentët, anëtarët e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe të gjithë shtetasit që votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 28 qershorit do të përfitojnë 1000 lekë kompensim. Të tjera kategori që përfitojnë rimbursim 700 lekë janë personat me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së dhe anëtarët e familjes, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar, me përjashtim të paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe të të verbërve. Masën 700 lekë e përfitojnë edhe personat që përfitojnë pagesë papunësie. Ndërkaq, në masën 400 lekë përfitojnë të gjithë personat, që marrin pension pleqërie mbi pensionin minimal në qytet, të plotë, të pjesshëm ose pension invaliditeti, si dhe personat në ngarkim të tyre, të cilët janë pa të ardhura. Rimbursim 200 lekë do të marrin edhe buxhetorët, me pagë mujore bruto jo më të madhe se 35000 lekë, si dhe personat në ngarkim të tyre pa të ardhura. Kostoja e këtij vendimi sipas llogaritjeve paraprake është 5 milionë dollarë dhe mbulohet nga rezerva e shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›