E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: Ndihmë nga FMN-ja, vetëm kur të jemi në krizë

Shifrat e fundit të INSTAT-it për rritje ekonomike me 8 për qind kanë rritur entuziazmin e qeverisë rreth faktit se vendi vazhdon të jetë i paprekur nga kriza financiare. Qëndrimet e fundit të Ministrisë së Financave mbeten në linja të pandryshuara, edhe pse presioni i publikut dhe institucioneve të tjera financiare po bëhet gjithnjë e më i madh. Vetëm një ditë pas sugjerimeve të sinqerta të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, për të kërkuar ndihmë te Fondi Monetar, zëvendësministri i Financave është përgjigjur i qetë se, "nuk e kemi provuar ende nëse jemi në krizë". Injorimi që i bëhet Bankës së Shqipërisë vjen në një kohë kur guvernatori Ardian Fullani po flet në mënyrë të drejtpërdrejtë rreth pasojave negative. Duke prezantuar Raportin Vjetor, kreu i Bankës së Shqipërisë i bëri thirrje qeverisë që të marrë ndihmë financiare tek institucionet e huaja, konkretisht te FMN, duke u nisur se sistemi aktual nuk ka gjendje të mjaftueshme likuiditeti. Por Ministria e Financave e kundërshton bashkëpunimin me Fondin Monetar, duke u nisur në radhë të parë nga mungesa e marrëveshjes, e cila përfundoi më janar 29 të këtij viti.

Faktet

Në tre vitet e fundit të marrëveshjes me FMN-në, qeveria shqiptare përfitoi rreth 25 milionë dollarë, në formën e kredisë së butë. Këto para erdhën si rezultat i disa arritjeve në fusha të ndryshme makroekonomike, të përcaktuara në marrëveshje. Nëse situata financiare do të shkonte jo sipas parametrave të kërkuar nga FMN, atëherë Shqipëria mund të përfitonte më shumë se 25 milionë dollarë, të cilat shkojnë kryesisht për uljen e varfërisë. Kjo lloj marrëveshjeje nuk është më, por ka vetëm konsulencë nga FMN, si rrjedhojë e faktit se Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në Fondin Monetar. Tani që 20 vendet më të industrializuara i dhanë FMN-së të drejtën e përdorimit të 750 miliardë dollarëve në drejtim të frenimit të krizës, ideja për t‘iu rikthyer marrëveshjes së mëparshme është bërë më e logjikshme. Por a jemi në krizë si vendet e tjera për të përfituar nga ky fond? "Deri tani, nuk po kemi shenja të krizës si vendet e tjera. Jemi duke bërë vlerësimet, por shifrat nuk tregojnë për momentin se jemi në krizë", u shpreh dje zëvendësministri i Financave. Qeveria ngulmon të deklarojë se, është ndryshe të thuash që "je në krizë" dhe ndryshe "je prekur nga kriza". Nga e gjithë kjo situatë, më i shqetësuar duket guvernatori, personi që mban çelësat e financave të shtetit dhe të të gjithë shqiptarëve. Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Ardian Fullani ngriti zërin për më shumë bashkëpunim me FMN-në, si mundësi reale për të frenuar impaktet negative të krizës. Por për Shehun, përfaqësuesin e qeverisë në këtë debat, raporti me FMN nuk është më si më parë. "Ne nuk kemi marrëveshje me FMN. Në këtë pikë, nuk kemi se çfarë t‘i kërkojmë. Por edhe në rast se shtrijmë dorën për ndihmë, duhet t‘u themi që jemi në krizë, e cila, deri tani nga faktet, nuk rezulton e tillë", përfundon Shehu.

750 miliardë USD

Tani që 20 vendet më të industrializuara i dhanë FMN-së të drejtën e përdorimit të 750 miliardë dollarëve në drejtim të frenimit të krizës, ideja për t‘iu rikthyer marrëveshjes së mëparshme është bërë më e logjikshme



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›