Presidenti Topi dekreton ligjin për ish të përndjekurit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje ligjin "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist". Projektligji është miratuar pak ditë më parë nga Kuvendi vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita e kundërshtoi me argumentin se nuk mund të ishte pro kolaboracionistëve. Ndryshimi në këtë ligj u propozua nga deputeti i PD-së, Astrit Bushati, dhe gjeti mbështetjen e mazhorancës. Ky ligj parashikon dëmshpërblimin për familjarët e viktimave, të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30 nëntor ‘44- 1 tetor ‘91. Gjithashtu, Presidenti dekretoi edhe tre ligje të tjera, të cilat janë miratuar nga Kuvendi. Projektligjin për një ndryshim dhe një shtesë në ligjin nr. 9228, datë 29.04.2004, "Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare", të ndryshuar; projektligjin "Për administratën detare të Republikës së Shqipërisë"; si dhe projektligjin "Për miratimin e disa shtesave e ndryshimeve në "Marrëveshjen e koncesionit të formës ‘BOT‘ për ndërtimin dhe shfrytëzimin e pontilit të naftës, gazit e nënprodukteve të tyre në zonën bregdetare të Porto-Romanos, Durrës, ratifikuar me ligjin nr.9298, datë 28.10.2004, të ndryshuar". Po dje, kreu i shtetit zhvilloi edhe një sërë takimesh të tjera. Ai priti Presidentin e Dhomës Supreme të Kontrollit të Republikës së Polonisë dhe kryetarin e Bordit Drejtues të EUROSAI-t, Jacek Jezierski. Presidenti Topi zhvilloi edhe një takim me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës italiane, Françesko Amirante. Gjatë takimit, Presidenti, pasi përshkroi reformat e ndërmarra në vend, si në gjyqësor, reformën zgjedhore, të miratuara me një konsensus të gjerë politik, vlerësoi ndihmesën dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit fqinj, Italisë, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe përparimin drejt integrimit në gjirin e familjes së madhe evropiane. Ndërsa Françesko Amirante shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi dhe garantoi përkrahje e mbështetje maksimale në forcimin e sistemit të drejtësisë shqiptare. Ai vlerësoi rolin, kontributin e Presidentit Topi dhe punën e madhe të bërë nga KLD-ja gjatë procesit të reformimit gjyqësor në vendin tonë dhe përparimet e shënuara jo vetëm në dhënien e drejtësisë, por edhe në rritjen e besimit në sistemin gjyqësor.