E Diel, 1 Nëntor 2026

Financial Times dhe perspektiva 2020-të, por më parë duhet të kthehemi 80 vite pas

Nga Besi BEKTESHI
Financial Times ka botuar një artikull parashikues analitik, mbi zgjerimin e BE-së dhe vështirësive që janë përpara në këtë zgjerim të filluar, por me disa vështirësi, për të vazhduar sidomos në rajonin e Ballkanit. Problemi kryesor si koncentrat e artikullit ishte tentativa tip thirrje për të anëtarësuar brenda 2011-tës Kroacinë dhe problemet nacionaliste midis saj dhe Sllovenisë. Në artikull është përmenduar edhe fakti se mund të ngrihet një grup negociator me nobelistin Marti Ahtisari, tashmë specialist për problemet në Ballkan, që Kroacia të mund ti bashkohet edhe zyrtarisht BE-së. Ky ka qenë edhe problemi themelor në artikull dhe patjetër që Kroacia është një shtet i rëndësisë së veçantë në Ballkanin e çoroditur, e kjo mbase do të bëjë që në prill presidenti Obama të vizitojë shtetin me nivelin më të lartë ekonomik në Ballkanin Perëndimor, por që nuk është de jure në BE. Natyrisht që ideja e FT-së dhe specialistëve në BE-së është që Serbia, Bosnja - Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria të jenë grupi i përbashkët, që duhet të futet në BE. Kuptohet se për Serbinë janë disa kushte të mëdha negociuse dhe pranuese dhe sidomos ato të dorëzimit të kriminelëve dhe demokracisë, kurse për Maqedoninë që sot është një hap përpara nesh, problemi është kryesisht mbi emrin dhe mos marrëveshjet me Greqinë. Turqia është një moment në vete dhe askush nuk di të thotë se si dhe kur, kurse ideja e futjes në përgjithësi, vendoset brenda kufijve të viteve 2015-2020-të. Mirëpo, pak shumë pak njerëz në Shqipëri, janë edhe të ditur, por kryesisht të interesuar në pranimin politik në BE si standard dhe politikë. Nuk merakoset kush kaq shumë, në se do të jemi qytetarë të Europës apo jo!!? Sepse në fakt, të futesh në BE, do të thotë të jesh i barabartë si të gjithë qytetarët e tjerë të Europës së Bashkuar. Të plotësosh të gjithë standardet, dhe të ti plotësojnë të gjitha standardet. Në çdo gjë të jetës dhe të progresit në përgjithësi. Patjetër që ajo që perceptojnë qytetarët shqiptarë është liria e udhëtimit jashtë shtetit shqiptar, dhe kryesisht në vendet e BE-së.
Kjo është ajo që të gjithë mendojnë dhe ëndërrojnë menjëherë aty për aty. Mirëpo për të plotësuar këtë kusht nuk është ndonjë aftësi e madhe për të shikuar përpara. Jo. Mbase është më produktive të shikohet dhe referohesh mbrapa. Shumë më mbrapa dhe jo pak, por 8 dekada. Çdo qytetar shqiptar që posedonte një letër njoftim apo pasaportë përpara 80 viteve mund të shkonte në port apo aeroport, dhe pa pasur nevojë për vizë apo për pengesa urdhër izoluese, shkonte ku të donte si në Romë, Berlin, Paris dhe Londër, apo Vjenë. Mjaftonte që të kishte disa lekë apo valutë në xhep. Është e bukur se duke pyetur një mik timin i cili ka tre viza njëvjeçare si ai dhe familja, kur e pyes se a ke dalë jashtë më përgjigjet ..Jo... Po pse i them.. dhe ai më përgjigjet, se e para ka pasur punë, dhe e dyta nuk ka aq shumë lekë sa për ti harxhuar vetëm e vetëm, se ka tre viza të tilla dhe shengen. Pra vjen një kohë që edhe po të kesh vizë nuk është se bën ndonjë gjë të madhe në Europë. Duke u kthyer te artikulli i FT-së, që na thotë se mund të bëhemi gati në 2020-tën për ne Europë, është për të thënë se shqiptarëve nuk ju intereson shumë sot, kur do të jenë qytetarë të Europës, sepse e dinë se janë shumë larg, por ju intereson në se do të mund të lëvizin lirshëm në Europë. Pra nuk është se nuk duan të jenë qytetarë të Europës, por në se do të arrijnë të lëvizin lirshëm si përpara 80-të viteve, nga Shqipëria, në vendet e Europës. Nuk mund të jetë sukses i madh një arritje, e cila ka qenë dhe në një farë mënyre, vetë e kemi larguar. Në moment krize ekonomike, dhe zgjerimi është i vështirë dhe bëhet akoma më i vështirë, sepse mentaliteti është që duhet të merremi me veten dhe pastaj të shohim edhe zgjerimin. Këtë gjë e vërtetonte edhe FT-ja dhe patjetër që shumë presin dhe ratifikimin e traktatit të Lisbonës, sepse edhe brenda anëtarëve të BE-së, ka shumë probleme për pikërisht standardet dhe zgjerimin. Kurse për sa i përket asaj në se jemi, apo nuk jemi afër dhe gati, për të qenë pjesë e Europës, patjetër që duhet të deklarojmë dhe pranojmë largësinë prej jo vetëm BE-së, por edhe fqinjëve tanë. Sot është më afër BE-së si Mali i Zi dhe Maqedonia. Më afër BE-së në shumë pika është edhe Serbia, edhe pse jo shumë kohë më përpara ishte një shtet agresor. Bosnja po ashtu, edhe pse është bërë një masakër e jashtëzakonshme, disa vjet më përpara. Në cilat pika ne mund të matemi më pikërisht këto shtete që na rrethojnë? Në infrastrukturë apo në nivel të përgjithshëm jete dhe administrimi? Po, ne kemi një të mirë se bërtasim si të marrë se plotësojmë standarde në kancelaritë e Europës, kur akoma kemi kushte të tilla, si zgjedhje të lira dhe korrupsionin, apo edhe drejtësinë dhe të tjera si këto!! Po të kthehemi 80-të vite më përpara, nuk mund të mos vihet re se distancat me Europën kanë qënë, por sistemi i taksave dhe kontrolli administrativ dhe monetar ishte në një nivel për tu arritur edhe sot e kësaj dite. Po ashtu edhe drejtësia në përgjithësi funksiononte respektivisht me vendet përqark në mënyrë të mirë dhe në disa raste akoma më të mirë. Liritë dhe lehtësitë e biznesit bërtasin sërish në Shqipëri!! Po të kthehemi përpara 80-të viteve kur çdo qytetar kishte të drejtë të dilte jashtë me pasaportën e tij dhe të ndërmerrte hapa tregtarë dhe ekonomikë, do të kuptojmë se edhe legjislacioni, por edhe garancitë kanë qenë shumë më të mëdha si për shqiptarët dhe për të huajt. Sot Europa është në krizë financiare dhe ekonomike. Patjetër, që në vende të paformalizuara dhe me super korrupsion (si te ne) dhe me zbatim të ligjit në kufijtë e anarshisë, kjo krizë tani nuk ndihet, por nuk do të harrojë të vijë mbas disa muajsh. Këtë e kanë përmendur disa prej ekspertëve dhe analistëve të huaj. Një pjesë e madhe e popullsisë së këtij vendi është jashtë shtetit, dhe pjesa më e madhe e tyre në vëndet e BE-së. Praktikisht edhe ato janë në krizë si të gjithë qytetarët e Bashkimit Europian. Si financat e tyre dhe të ardhurat e mira të cilat vijnë nga 1.2 milion shqiptarë në BE-së, do të reduktohen për dy arsye. Njëra është arsyeja e krizës dhe e dyta është arsyeja se tashmë, kanë vendosur një pjesë e tyre bazament ekonomik në pikërisht vendet e BE-së dhe kërkojnë të mbrojnë atë.
Me të vërtetë që Shqipëria nga disa botime shpesh herë të porositura konsiderohet një parajsë investimi, por vetëm idiotët nuk kuptojnë se çfarë ndodh në këtë vend. Të gjithë e dinë se ka dy gjëra më mirë. Ka energji më shumë dhe më në rregull, dhe ka investime kapitale të mëdha infrastrukturore nga shteti, dhe privati, kryesisht me ndërtimet e banesave. Bukur, po ky vend ka gjithashtu një burokraci trashanike dhe gjakpirëse për të hapur dhe mbajtur biznes. Ka ligje të shkruajtura, por  ka Maliq që nuk çajnë shumë kokën, për ligjin e shkruajtur. Ka Gërdec dhe ligjësi të tillë biznesi. Ka çdo ditë nga një të vetëvrarë. Ka të vdekur në rrugët tona më shumë për frymë të popullsisë, se të gjitha vendet e rajonit. Ka ligjësi politike në përparimin ekonomik të biznesit, dhe po nuk kishe levat e duhura të tilla, as që bëhet fjalë se mund të lejohesh të prosperosh. Dje Lohan dha edhe një goditje tjetër përsa i përket pronës dhe titujve të saj në Shqipëri. Si mund të integrohesh në BE, kur akoma nuk dihet se e kujt është prona, dhe si janë dokumentet e saj, në qytetarët shqiptarë?!! Përsëri po të kthehemi 80-të vite më pas, na duhet të pohojmë se  prona ka qenë jo vetëm më e shenjtë dhe e respektuar, por edhe më e regjistruar dhe e taksuar në mënyrë të tillë. Praktikisht ne sot, duhet të vijmë në standardin e 80-të viteve më përpara, për të shkurtuar distancën prej tetë dekadash për mundësinë e një qytetari për të dalë në vendet e BE-së. Kurse, përsa i përket integrimit politik dhe ekonomik të plotë në organizmin e madh europian, kuptohet se është shumë larg. Kjo largësi është jo vetëm ekonomike dhe infrastrukturore, por edhe politike dhe demokratike, për të mos thënë edhe ligjore. Në fund të fundit gjeografikisht ne në Europë jemi dhe nuk ka asnjë lloj mekanizmi që ta na veçojë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›