E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksperimenti i Këshillit Bashkiak të Tiranës



Bashkësia e kryeqytetit është vënë në qendër të vëmendjes, për shkak të krizës që ka shkaktuar mosmiratimi i buxhetit të vitit 2009. Ndërkohë, kryetari Rama duket se është në një pozicion të vështirë, për shkak se i duhet të vendosë midis kandidimit për deputet dhe vazhdimit të mandatit të kryebashkiakut. Cilat mendoni se janë shkaqet e vërteta të bllokimit të buxhetit? Si e komentoni pozicionin e z. Rama përballë dy alternativave që thamë më lart?

Është e vështirë të thuash prerazi se cili ishte shkaku apo cilët ishin shkaqet e krizës lidhur me aprovim/mosaprovimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Por, duket se marrëdhëniet e tensionuara midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, aty kanë luajtur një rol të dorës së parë.

Ka konflikte mes këtyre partive, gjë që dihet më së miri nga ana e lexuesit tonë. Dhe kur ka konflikte politike, secila palë ndeshet me kundërshtarët, duke përdorur mjetet e veta politike. Partia Socialiste e nxori jashtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke i lënë vendin atje një përfaqësuesi të Partisë Socialdemokrate. E padrejtë. Politikisht kuptohet që këshilltarët e ardhur nga horizonti politik i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk do të gjenin më asnjë arsye politike për të aprovuar pa dëshirë një buxhet të konceptuar nga krahu i kryetarit të bashkisë, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, ashtu pa kundërshtime dhe pa kritika, bile duke e refuzuar atë.

Në këtë mënyrë, krahu i LSI-së dëshmon para elektoratit se edhe në planin institucional të pushtetit lokal nuk ka aleanca politike me Partinë Socialiste. Shndërrohet në opozitë në pushtetin lokal të Tiranës, në raport me kryetarin e Partisë Socialiste.

Por mbi të gjitha, gjykoj se ka një arsye tjetër, e cila është simbolike, por që mund të fshehë sekretin e ardhmërisë politike në rrafshin e pushtetit qendror. Ajo që ndodhi në Këshillin Bashkiak të Tiranës lidhur me procedurën e aprovimit të buxhetit mund të riprodhohet në përmasa të tjera pas zgjedhjeve të qershorit.

Cilat janë mësimet që dalin?

Varianti i parë, Partia Demokratike fiton në zgjedhjet e ardhshme dhe partitë e krahut të majtë mbesin përsëri në opozitë. Në këtë rast, modeli i asaj që ndodhi në Këshillin Bashkiak të Tiranës nuk riprodhohet. Por, nëse krahut i majtë i duhet një koalicion për të fituar një shumicë parlamentare qeverisëse, atëherë marrëdhëniet midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste bëhen të ndërlikuara. Qoftë për një aleancë të mundshme midis tyre, qoftë edhe për ndarjen e beneficeve funksionale që vijnë nga pushteti. Po kështu, përvoja e këtyre javëve të fundit dëshmon se si përfaqësuesit e Partisë Socialiste ashtu edhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim mund t’i bashkojnë në raste të caktuara dhe për qëllime të caktuara politike votat e tyre me ato të krahut të djathtë, pra, kryesisht të Partisë Demokratike. Partia Socialiste e ka bërë këtë në votime të ndryshme në Kuvendin e Shqipërisë, po kjo u manifestua edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës nga ana e këshilltarëve të LSI-së. Pra, ne ndodhemi tani përpara një loje aleancash politike, të cilat nuk dihet sesi do të kompozohen pas zgjedhjeve të ardhshme në funksion të rezultatit të tyre. Megjithatë, më duket se secila nga partitë që do të dalë më mirë se të tjerat, përsëri do të ketë nevojë për aleanca me partitë të ndryshme, të krahut të vet, apo të një krahu të kundërt me të vetin. Në fakt kështu ka ndodhur edhe përgjatë kësaj periudhe prej katër vjetësh që po kalojmë.

Pra, mendoj se problemi i krijuar në Këshillin Bashkiak të Tiranës vjen në radhë të parë për shkak se forcat politike që dikur përbënin shumicën atje nuk kanë më një vullnet të përbashkët politik. Dhe kur ky vullnet politik nuk është më unik, atëherë sigurisht që dalin në dritë edhe të meta të buxheteve financiare. Nuk ka si të jetë ndryshe. Aq më shumë se rivalët politikë të zotit Rama synojnë që t’i heqin atij çdo mundësi që nëpërmjet fuqisë financiare të Bashkisë së Tiranës të mbështesë qoftë edhe indirekt fushatën elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet e qershorit.

Megjithatë, disa vërejtje që u bënë nga këshilltarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim për investime bashkiake në punime që tanimë janë të mbuluara me investime nga të tretët nuk morën përgjigje. Unë nuk them medoemos se nuk kanë përgjigje, por vetëm ne si qytetarë nuk i dëgjuam. Vështirë që qytetari të dijë sesa është ky buxhet, sesi harxhohet, me çfarë efikasiteti. Një qytet i madh si Tirana ka vend gjithmonë për kritika në mënyrën si funksion forca publike lokale në administrimin e tij. Nuk besoj për veten time që buxhetet e viteve të kaluara të kenë qenë pa të meta dhe të pakritikueshëm. Atëherë, ndofta, sikurse është thënë edhe nga politikanët në fjalë, prevalonte sensi politik, mbi atë administrativ dhe mbyllej një vesh ose një sy.

Është vështirë që qytetari të gjejë se cilat duhet të jenë prioritetet në shpërndarjen buxhetore në Tiranë. Dikush sheh nivelin e shtrimit të rrugëve dhe të kanalizimeve, duke menduar se aty duhet vepruar. Dikush sheh parkun pyjor përreth ish-liqenit artificial dhe mendon sesi aty nuk vihet dorë prej vitesh e vitesh. Dikush tjetër mendon për cilësinë e ujit etj. Megjithatë nëse ka mbivendosje alokimesh financiare, kjo duhet evituar.

Tani, le të them dy fjalë për sa i përket pyetjes suaj se çfarë do të bëjë zoti Rama lidhur me postin e tij të kryetarit të bashkisë përpara sfidës së kandidimit për deputet? Kjo është një pyetje shumë e vështirë që do të marrë një përgjigje me kohë. Aktualisht, me ligjin në fuqi, ai nuk mundet që edhe të kandidojë për deputet edhe të ruajë postin e tij. Një dilemë e fuqishme.

Këtë radhë, ai qëndroi fort për të mos e ndryshuar buxhetin. Është e kuptueshme. Nga bllokimi buxhetit ai fiton politikisht. Së pari, tregon që është një opozitë që kundërshtohet nga partia që ka në dorë pushtetin qendror. Së dyti, justifikohet para qytetarëve të Tiranës duke lënë të kuptohet se ai pengohet në ushtrimin e detyrave të veta. Së treti, ai e di se çështja nuk mund të shkojë deri në shpërndarjen e Këshillit Bashkiak. Përse? Sepse askush në Shqipëri sot nuk ka interes që të provokohen zgjedhje lokale në Tiranë përpara zgjedhjeve qendrore që po afrohen. Apo t’i organizojë zgjedhjet qendrore së bashku me zgjedhjet lokale në Tiranë. Është e pamundur. Pra, e di se në një çast kjo çështje do të marrë një zgjidhje, pa vënë në diskutim postin dhe fuqinë e tij bashkiake.

Çfarë do të bëjë? Do të rrijë kryetar bashkie apo do të kandidojë për deputet? Po të rrijë kryetar bashkie është i fortë para zgjedhjeve, por pas zgjedhjeve mund të mos ketë forcën që i duhet politikisht si në rastin e një humbjeje apo edhe të një fitoreje. Po të lejë postin e kryetarit të bashkisë dhe të vihet kandidat për deputet, atëherë dobëson pozitën e tanishme, përballë një mundësie eventualisht më të mirë pas zgjedhjeve në çdo rast rezultati të tyre. Pra, midis një të mire të tanishme të sigurt, apo një të mire të mundshme në të ardhmen, gjykoj se do të zgjedhë përfitimin e së mirës së tanishme. Kështu e ka politika, merr të mirën e radhës, duke e lënë të hapur të ardhmen. Pra, gjykoj se do të qëndrojë kryetar bashkie, pa kandiduar në zgjedhje.

Sllovenia ka bllokuar ratifikimin e anëtarësimit në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë. Autoritetet kroate kanë garantuar se nuk kanë probleme drejtpërdrejt me Shqipërinë. Sa mendoni se e pengon procesin e plotë të anëtarësimit kjo pengesë e papritur e Sllovenisë?

Nuk besoj se është një problem real i rëndësishëm. Nuk është Shqipëria si anëtare e ardhshme e NATO-s që përbën problem për Slloveninë. Gjeo-strategjikisht, Sllovenia nuk e sheh Shqipërinë, nuk ka përse ta shohë me një sy rivaliteti. Nëse kandidatura e Shqipërisë dhe ajo e Kroacisë për të cilën ka vërejtje dhe rezerva Sllovenia ndodhen në të njëjtën dosje – kjo është një rastësi. Nuk pengohet dot një vend për shkak të një vendi tjetër. Shqipëria dhe Kroacia vërtet hynë në të njëjtën kohë në këto procedura, por hynë si vende të pavarura dhe pavarësisht të ndarë prej njëra-tjetrës. Por, edhe në raport me Kroacinë nuk besoj se kundërshtimi slloven do të jetë i qëndrueshëm. Nuk besoj. Gjërat do të sheshohen. Nuk më duket se Sllovenia të ketë atë forcë dhe atë inat për t’iu kundërvënë parimeve, dinamikave dhe linjave kryesore të forcës brenda NATO-s. Është një pengesë që diplomacia atlantiste, kam besimin se do ta zgjidhë pa ndonjë mundim të madh.

Bashkësia Islamike e Shqipërisë ka nisur një aksion për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e Konferencës Islamike, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Sa efektive mund të jetë një nismë e tillë? A mund ta përdorim përkatësinë fetare të shumicës së popullsisë për të garantuar një objektiv politik e kombëtar siç është pavarësia e Kosovës?

Do të kisha dëshirën t’i bëja një redaktim të vogël pyetjes suaj. Ju thoni «ta përdorim përkatësinë fetare të shumicës së popullsisë». Por, ne nuk po përdorim gjë. As unë, as ti, as ne si komb, as shteti. Përse ta vendosim këtë aksion të tyre për të mbrojtur një kauzë që iu duket sublime në vetë të parë shumës. Pra, këtu nuk kemi ndonjë përdorim nga «ne», pra nga shteti, apo kombi. Nuk është ndonjë gjë e qëllimshme, e fshehur pas ndonjë taktike. Komuniteti islam shqiptar ka vendosur të ndërmarrë një nismë të tillë, duke gjykuar se fakti që i drejtohet një konference që ka lidhje me identitetin e tij fetar, mund ta ndikojë atë në të mirë të çështjes së njohjes së pavarësimit të Kosovës. Ka të drejtë ta bëjë. A jemi një shoqëri demokratike? A e kanë të drejtën e lirisë së shprehjes së opinionit publik? Kjo ka të bëjë me sferën e opinionit publik dhe jo me atë shtetërore.

Më falni të insistoj në faktin se shoqëria shqiptare ka një farë pengesash në kuptimin e njohjes së veçanësive dhe karakteristikave të grupeve komunitare me prejardhje fetare, gjuhësore apo kulturore, rajonale, apo edhe etnike. Uniteti kombëtar është një gjë, ai duhet të ruhet si drita e syve, kur i thonë, ndërkohë veçanësitë komunitare të grupeve sociale të ndryshme, edhe ato përbëjnë një realitet demokratizimi dhe modernizimi të shoqërisë. Trembemi nga kulturat specifike të çdo lloji. Meqenëse jemi shumë unitaristë në ndërtimin shtetëror, dhe kjo qysh në platformat politike të shekullit të nëntëmbëdhjetë, na duket shpesh se çdo shfaqje diversiteti kulturor, na shpërbën. Shoqëria shqiptare, sipas, meje, ndodhet përpara detyrës së njohjes së multikulturalizmit grupal dhe individual. Sa shumë stigmatë fyese ka ndër ne e që përdoren nga një komunitet ndaj tjetrit. Individualisht mbetemi miq, kurse specifikat grupale nuk i pranojnë.

Pra, nuk është puna as te «përdorimi» sepse askush nuk po i përdor, as tek e drejta e tyre, e komunitetit islam, për të drejtuar thirrjen që dëshirojnë, kujt dëshirojnë, për të mbrojtur çështjen kosovare. Në kuptimin tim, mirë bëjnë. Njihen peticionet dhe memorandumet shqiptare drejtuar fuqive të mëdha në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në dekadat e para të shekullit të njëzetë. Ato kanë ndihmuar në njohjen e çështjes shqiptare dhe sensibilizimin e opinionit të jashtëm.

Problemi duhet shtruar ndryshe, sipas meje. Duhet pyetur a mendohet të ketë ndonjë efekt kjo thirrje që vjen nga besimtarët myslimanë të Shqipërisë drejtuar konferencës së vendeve islamike? Kjo kërkon një analizë të detajuar që besoj se iniciatorët e këtij memorandumi e kanë bërë tashmë. Duhet pyetur se çfarë kanë disa vende islamike që nuk ecin më shpejt drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës? Mos vallë ju duket Kosova shumë e lidhur me Perëndimin dhe me NATO-n dhe kjo atyre nuk iu pëlqen aq fort? E shohin me dyshim? Kjo sidomos në këto vite të shkuara të një farë ballafaqimi midis lidershipit perëndimor dhe disa vendeve islame? Besoj se ata kanë marrë parasysh edhe se nuk duhet trajtuar çështja kosovare si problem besimi apo e frymëzuar nga strategji fetare. Pavarësimi i Kosovës është thjesht një problem kombëtar dhe politik, pra edhe i laikëve të Kosovës, edhe i ateistëve, edhe i katolikëve, edhe i protestantëve, edhe i agnostikëve, edhe i myslimanëve, pra i qytetarëve pavarësisht nga besimet. Besoj se në atë thirrje kjo ka dalë në pah mirë, përndryshe nuk ka qenë e plotë.

Sidoqoftë ngjarja për të cilën më pyesni konfirmon të dhënat e një studimi që kam bërë para disa vitesh, ku më rezultonte se ka një farë lidhje mes identitetit fetar të grupeve të ndryshme të shqiptarëve dhe animit apo ndjeshmërive më të mëdha gjeopolitike të tyre drejt këtij apo atij grupi vendesh, me identitete kulturore të ngjashme apo të afërta. Nuk është një e dhënë absolute, nuk është e përgjithshme, por si dukuri shfaqet megjithatë.

Sidoqoftë është hera e parë që shfaqet qysh prej shumë kohësh një lidhje e hapur midis një identiteti fetar dhe një aksioni gjeopolitik në planin ndërkombëtar. Kjo mbetet për t’u shënuar

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›