Hakmarrja politike lë 1 javë pa ujë dhe drita fshatin Yzberisht
Përveç mijëra problemeve që është i destinuar të vuajë në këtë kaos politik, ekonomik dhe social, populli shqiptar duhet të vuajë edhe prapavijën politike, e ndjekur në shumë zona, lidhur me projektet dhe investimet e parashikuara në to, por edhe përsa i përket gjendjes aktuale të tyre. Një ndër zonat e shumta në vend, përgjithësisht të shquara si të majta, është edhe fshati Yzberisht i Komunës së Kasharit, i cili ashtu si shumë fshatra të tjerë në vend, po vuan papërgjegjshmërinë e qeverisë aktuale, vetëm mbi baza politike.
Edhe pse është vetëm disa kilometra larg kryeqytetit të Shqipërisë, banorët e këtij fshati, prej disa ditësh po jetojnë sikur të ishin në të vërtetë në fshatin më të thellë dhe më të humbur të vendit. Prej disa ditësh, ata nuk mund të kenë dy nga elementët më jetikë për njerëzit, ujin dhe dritën. Banorët e Yzberishtit, po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike prej 1 jave. I gjithë aktiviteti i banorëve të kësaj zone nis në orët e para të mëngjesit dhe mbyllet në orët e para të pasdites, teksa errësohet dhe e gjithë zona nis e mbulohet nga terri. Ndërsa ujin ata e blejnë çdo ditë, sepse çezmat e tyre janë "tharë". Errësira dhe thatësira që ka pllakosur këtë zonë është denoncuar publikisht nga anëtari i Këshillit të Komunës së Kasharit, Alfred Bakalli, i cili gjithashtu ka bërë të ditur edhe arsyen e vërtetë se përse kjo zonë po vuan prej aq ditësh mungesën e ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike. " Prej një jave, në fshatin Yzberisht mungon uji i pijshëm dhe energjia elektrike, të cilat janë kthyer në një telenovelë. Gjendja është tepër alarmante sa dhe rreziku për një epidemi është prezent", ka bërë të ditur anëtari i këshillit të LSI- së në Komunën Kashar, Alfred Bakalli. Ai ka kërkuar që ti jepet zgjidhje një orë e më parë, si nga drejtoria e ujësjellësit, ashtu edhe nga Komuna Kashar. "Mos vallë kemi të bëjmë me një penalizim që i bëhet fshatit Yzberisht, duke e cilësuar zonë të majtë? Uji është pa ngjyrë, është për të gjithë, pra nuk është komoditet luksi", ka ironizuar Bakalli, duke bërë përgjegjës për këto dy probleme ndërhyrjen politike, e cila në të vërtetë rëndon direkt mbi banorët.
Email This Klikime: 9
Email This Klikime: 9