E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Financial Times", edicion special për Shqipërinë

Në të njëjtën ditë me publikimin nga "New York Times" të aferës së armëve, ku qeveria shqiptare përfshihet në marrëdhënie të dyshimta korruptive me një kompani që tregton armë për llogari të Uashingtonit, një tjetër gazetë, po kaq prestigjioze, londinezja "Financial Times", ka kthyer sytë nga Shqipëria. Dy jave pas qëndrimit në Tiranë të një ekipi të saj, gazeta "Financial Times" i ka kushtuar Shqipërisë një edicion special, duke sjellë një panoramë të përgjithshme politike, ekonomike dhe sociale të vendit tonë, që po pret të marrë ftesën për anëtarësim në NATO. 10 shkrimet që i kushtohen Shqipërisë në edicionin special të "Financial Times", ku janë intervistuar drejtuesit kryesorë politikë të vendit, analistë, biznesmenë, deri tek ish-drejtuesit komunistë, Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, e përshkruajnë Shqipërinë si një vend me tranzicion të vështirë, që po përpiqet të konsolidojë stabilitetin politik dhe të forcojë ekonominë e saj si kusht për integrimin euro-atlantik të vendit. Shkrimet përshkruajnë realitetin me të cilin përballen shqiptarët sot, rritjen e çmimeve, mungesën e energjisë gjatë vitit të kaluar, infrastrukturën e dobët rrugore, cilësinë e ulët të administratës, shtrirjen e gjerë të korrupsionit. Por "Financial Times" veçon në këto shkrime edhe rezultatet konkrete të kohëve të fundit për të minimizuar këto fenomene, duke arrestuar zyrtarë të përfshirë në korrupsion, duke investuar në infrastrukturë si asnjëherë më parë dhe duke u përpjekur të rrisë nivelin e mirëqenies ekonomike në vend. Duke iu referuar ngjarjes së Gërdecit, gazeta thotë se kjo shërbeu për të kujtuar se Shqipëria mbetet shumë mbrapa vendeve të tjera evropiane për sa u përket standardeve të sigurisë dhe shëndetit. Por duke cituar politikanët më të lartë shqiptarë, "Financial Times" thotë se ky incident nuk do të ndikojë për marrjen e ftesës në NATO. Por, me gjithë panoramën e zgjeruar të një vendi që po lëviz drejt zhvillimit dhe ku marrja e ftesës do të inkurajojë investimet e huaja në vend, "Financial Times" në analizën e vet thotë se vendi ka një rrugë shumë të gjatë përpara se të integrohet në Bashkimin Evropian.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›