Berisha: Përdoreni "New York Times" si letër higjienike
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj artikullit të botuar në të përditshmen prestigjioze amerikane "New York Times", duke iu drejtuar deputetëve të opozitës se mund ta përdorin atë si një letër higjienike. Kjo frazë e dalë nga goja e kreut të qeverisë dhe të tjera, kanë shkaktuar një debat të ashpër në Kuvend. Komenti i parë për shkrimin e gazetës së madhe amerikane ka ardhur nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, i cili duke iu drejtuar Kryeministrit Berisha ka deklaruar se "shkrimi i botuar në një nga gazetat më të mëdha të botës është njolla më e zezë që ka marrë qeveria shqiptare". Duke u bazuar te shkrimi i të përditshmes amerikane, Braçe është deklaruar se "sipas shkrimit në "New York Times", ne i kemi shitur armë një 22-vjeçari, i cili figuron në listat e zeza si bandit". Duke cituar shkrimin, Braçe theksoi se Shqipëria ka shitur armë të vitit 1960, të cilat janë përdorur për të luftuar terrorizmin. "Në ‘New York Times‘ për këtë tregti akuzohet qeveria e Shqipërisë dhe nga goja e 22-vjeçarit citohet emri i Kryeministrit, ministrit të Mbrojtjes dhe emrat e shumë të tjerëve", tha Braçe. Ndaj, nënkryetari i grupit parlamentar socialist i ka kërkuar Kryeministrit të japë dorëheqjen dhe të lërë imunitetin për t‘u vënë në dispozicion të organit të akuzës për t‘u hetuar. Kjo deklaratë në adresë të Kryeministrit është përsëritur edhe nga deputetë të tjerë të opozitës. Ermelinda Meksi ka deklaruar se tregtia e armëve ka elementë korruptimë në të cilat përfshihet edhe Kryeministri, ndaj ky duhet të japë dorëheqjen. Dorëheqja e Kryeministrit Berisha është kërkuar edhe nga deputeti i LSI-së, Ndre Legisi, i cili gjatë fjalës së tij ka theksuar se "Kryeministri është dhunues i fjalës së lirë. Tragjedia e Gërdecit nuk ishte fatkeqësi natyrore. Kërkojmë largimin tuaj, sepse po pengoni rrugën e Shqipërisë drejt NATO-s". I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit Sali Berisha, i cili e ka akuzuar opozitën për histerizëm politik dhe që po i shfrytëzon fatkeqësitë vetëm me qëllimin e postit. "Mbajini për letër higjienike ato që fabrikon ti me Erionët e tu. Kryeministri dhe qeveria janë të vendosur me të gjitha përpjekjet që të riparojnë pasojat e shpërthimit", i është përgjigjur Berisha deputetit Legisi. Gjithashtu, kreu i qeverisë ka theksuar më tej se tashmë prokuroria po heton për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësit e kësaj tragjedie të rëndë. Por deklaratat dhe justifikimet e Kryeministrit nuk ia kanë arritur qëllimit për të mbyllur debatin në Kuvend për tragjedinë e Gërdecit dhe aferat që janë bërë nga shteti për tregtinë e armëve. Opozita ka kërkuar nga Kryeministri një raport serioz që të japë shpjegime dhe të zbardhë të vërtetën e tragjedisë së Gërdecit, duke mos preferuar të vazhdohet me seancën rutinë të Parlamentit. Kryetarja e grupit socialist, Valentina Leskaj, tha se deklaratat e Kryeministrit janë rrëzuar të gjitha dhe ai duhet të përgjigjet sërish. Ndërsa nënkryetari i grupit, Braçe, ka akuzuar Berishën se po dhunon ligjet e miratuara në Kuvend. Duke iu referuar ligjit për tregtinë e armëve, Braçe tha se ai është përgjegjës për mungesën e autoritetit shtetëror të kontrollit të eksporteve të armëve, që do të kontrollonte veprimtarinë e trafikut të armëve. Kreu i qeverisë është kundërpërgjigjur duke thënë se është përgjigjur për këtë çështje në një debat që zgjati rreth 7 orë, ndërsa e ftoi opozitën të kërkojë mocion. Berisha ripërsëriti sërish dje se nuk ka pasur dijeni për çmontimin e predhave në fabrikën e Gërdecit, pasi sipas ligjit nuk ka pasur të drejta për shpërndarjen e reparteve ushtarake. Sipas tij, opozita po shfrytëzon tragjedinë për të fituar karrigen. Ndërkaq, të ashpra kanë qenë edhe akuzat e deputetit Petro Koçi, i cili tha se ngjarja e Gërdecit ishte pasojë e krimit të organizuar, që ka mbërthyer shtetin dhe politikën. "Delijorgji është fenomen, përfaqësues i ekonomisë informale dhe krimit që ka nënshtruar Ministrinë e Mbrojtjes", tha Koçi. Ndërsa ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, duke i rikujtuar Berishës që duhet të japë dorëheqjen, theksoi se "në cilindo vend të botës nëse një biznesmen do të përmendë në këtë mënyrë Kryeministrin dhe djalin e tij veprimi i vetëm që duhet të kryhet është largimi". Majko e ka krahasuar Kryeministrin me një predhë, e cila është më mirë të çmontohet sesa të shpërthejë. Nga ana e tij, Kryeministri u kundërpërgjigj me nënkuptim duke theksuar se "ca gjëra nuk fshihen as me letra të hapura dhe as me letra të mbuluara". Kryeministrin Berisha është munduar ta mbrojnë deputetët e mazhorancës si Baki Shehu, Gjok Vuksani, Osman Metalla dhe Aldo Bumçi, të cilët kanë theksuar se me ndihmën e ekspertëve të FBI do të zbardhet e gjithë ngjarja, por i duhet lënë kohë qeverisë që të reagojë pas kësaj tragjedie.