Uidhers, takim kokë më kokë me Berishën
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uidhers, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, menjëherë pas reagimit të ashpër të kreut të qeverisë ndaj së përditshmes amerikane "New York Times". Takimi kokë më kokë mes Berishës dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, Uithers, është zhvilluar dje pak para orës 15:00 në Vilën qeveritare 30, pranë Bllokut. Takimi ka zgjatur mbi gjysmë ore dhe në një pjesë të tij ka qenë prezent edhe një zyrtar tjetër i selisë diplomatike të Uashingtonit në Shqipëri. Në lidhje për këtë takim, si zyrtarët e qeverisë shqiptare, ashtu edhe ata të ambasadës së SHBA-së, nuk dhanë asnjë koment. Edhe pse gjithçka është zhvilluar larg mediave, mësohet nga burime pranë qeverisë se biseda mes ambasadorit amerikan dhe Kryeministrit Berisha ka pasur si temë pikërisht përplasjet në vend menjëherë pas publikimit të artikullit të "New York Times" mbi skandalin e trafikut të municioneve të vjetruara dhe aferave korruptive në disa vende të Evropës Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë.