E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Mbrojtjes: Deklarimet në NYT, trillime

Pas botimit të një artikulli në "New York Times", ka reaguar menjëherë edhe Ministria e Mbrojtjes, sipas së cilës deklarimet e personave të cituar në shkrimin në fjalë janë trillime. "Të gjitha deklarimet e bëra nga personat që janë cituar në këtë artikull janë krejtësisht të trilluara dhe të paqena".

Ministria e Mbrojtjes sqaron edhe njëherë se kontrata e Ministrisë së Mbrojtjes me Pentagonin dhe kompaninë AEY është e ligjshme. Kjo kontratë është e miratuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes. Kjo kontratë është verifikuar edhe nga shërbimet inteligjente ushtarake dhe nga shërbimet inteligjente të vendeve partnere. Sikundër jeni informuar, pasi Kosta Trebicka ka vënë në dijeni Ministrinë e Mbrojtjes për disa shqetësime të tij, ministri u ka kërkuar menjëherë autoriteteve të Ambasadës Amerikane në Tiranë të bëjnë verifikimet përkatëse. Kjo kontratë ka rezultuar e vlefshme pas verifikimeve nga ana e autoriteteve të Ambasadës Amerikane në Tiranë, gjë e cila është e konfirmuar tashmë. Po ashtu është verifikuar edhe "Dokumenti i Plotfuqisë" që kompania AEY i ka lëshuar "Evdin ltd". Nga të gjitha verifikimet ka rezultuar që kontrata dhe dokumenti i plotfuqisë janë autentike dhe në përputhje të plotë me legjislacionet respektive. Po ashtu sqarojmë se raportet mes kompanisë AEY dhe "Evdin ltd" janë pjesë e marrëdhënieve mes këtyre dy kompanive, pjesë e investigimeve amerikane dhe jashtë sferës së Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›