Rama: Më vjen turp nga deklaratat e Berishës
Edi Rama i tha dje publikut shqiptar se ndihet keq që si qytetar i këtij vendi pas publikimit të shkrimit të NYT për trafikun e armëve. Pak orë pasi lajmi u përhap në mjediset e politikës, reagoi përmes një komunikimi publik edhe lideri i opozitës. "Ndihem vërtet shumë keq për reagimin e turpshëm të Kryeministrit të vendit tim, ndaj publikimit të këtyre fakteve skandaloze", theksoi Rama. Dhe ndaj opozitës që sipas tij, sot me plot të drejtë, kërkon zbardhjen e plotë të një krimi shtetëror, që pasi mori dhjetëra jetë njerëzish shkatërroi qindra familje e shtëpi dhe dëmtoi mijëra banesa e biznese. "Sot Shqipëria e fëmijëve tanë ka dalë në faqen e parë të NYT dhe të HT për një zullum të turpshëm, që duhet ta paguajnë moralisht e ligjërisht ata, që e kanë gatuar, duke filluar nga Kryeministri ynë dhe jo emigrantët shqiptarë", vlerësoi Rama. Këta të fundit, sqaroi ai sot kudo në botë do të shihen përsëri si të ardhur prej një vendi trafikantësh, jo shqiptarët e shqiptaret, që mezi nxjerrin muajin me punë të ndershme e mezi presin të integrohen e lëvizin lirisht në një botë përpara të cilës kjo qeveri sot ka turpëruar Shqipërinë e ne të gjithë. "Qeveria e këtij populli, që e sheh Amerikën si atdheun e dytë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një aleat të madh e mik të paçmueshëm, ka menaxhuar në mënyrën më të turpshme një marrëdhënie kaq jetike e të paçmueshme partneriteti, si marrëdhënia me partnerin tonë të pazëvendësueshëm", u shpreh Rama. Duke konstatuar edhe faktin se Kryeministri ynë përgojon si i dehur kontratat e partneritetit mes dy shteteve për të mbuluar trafikun e armëve, që s‘ka të bëjë as me shtetin dhe as me ligjin dhe që me bekimin dhe dijeninë e tij është zhvilluar në kundërshtim të plotë me ligjin e me parimet e vlerat e botës ku duam të integrohemi e ku SHBA mbeten pika jonë e palëvizshme e referimit. "Kryeministri i vendit tonë, ka akuzuar NYT me gjuhën, që diktatura e deri djeshme komuniste akuzonte botën e lirë dhe burimet e saj të lirisë së informimit, për mbrojtje të interesave të armiqve të Shqipërisë e të procesit të integrimit të vendit tonë në NATO", nënvizoi Rama. Në këndvështrimin e kreut të socialistëve, zoti Kryeministër ka shkruar edhe më larg, e ka akuzuar NYT si të kapur nga mafia duke na mbuluar me turp ne të gjithëve. "Që kemi për Kryeministër një personazh të kapur në flagrancë nga një investigim ndërkombëtar e që ka paturpësinë të akuzojë si mafiozë hetuesit e tij, gazetarë të një gazete, që është bërë e famshme për betejat e saj me pushtetet kulte", insistoi Rama. Sipas tij, Berisha nuk është i pandehuri i opozitës, po i qeverisjes së tij me duar të pista. "Nuk jeni i pandehuri i kundërshtarëve tuaj politikë po i një populli të tradhtuar prej jush e të kapur peng nga korrupsioni juaj", tha Rama.