Fatos Kongoli "Bolero në vilën e pleqve", vetmia dhe bota e brendshme e një femre

Sapo është hedhur në qarkullim romani "Bolero në vilën e pleqve", i cili mban firmën e autorit Fatos Kongoli, romancierit më të spikatur, më prodhimtar dhe, padyshim, më të rëndësishëm të dy dekadave të fundit në letërsinë shqipe. Ndoshta vepra më e mirë e shkruar nga Kongoli në korpusin e tij prej 10 romanësh në më pak se 20 vjet dhe një sërë tregimesh që nuk qëndrojnë më poshtë se proza e tij e gjatë për nga mjeshtëria e rrëfimit dhe vlerat artistike.
Për këtë qëllim Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Librit dhe Promocionit Toena në datën 6 shkurt organizojnë paraqitjen e romanit të ri të shkrimtarit Fatos Kongoli "Bolero në vilën e pleqve". Kongoli, i cili ka qenë jashtë Shqipërisë prej disa muajsh, i ftuar në një tur të gjatë takimesh në Francë dhe vendet e Evropës Veriore, do të fluturojë nga Amerika me datën 5 shkurt dhe me datën 6 shkurt do të vijë nga Aeroporti i Rinasit drejt e në sallën e Akademisë së Shkencave, ku do të organizohet përurimi i romanit të tij dhe do të realizohet takimi me lexuesit e tij, të cilëve u ka munguar prej kohësh. Romani i ri është një përpjekje e mundimshme e autorit për të depërtuar në skutat më të errëta të psikikës njerëzore, një tablo e errët, me ngjyra të rreme të një jete vanitoze dhe të trishtueshme të shoqërisë sonë, që sapo është çliruar nga kthetrat e një shoqërie të mbyllur, por që hapjen ndaj botës e përjetoi si shqyerje të portave dhe lirinë si anarki, ku pasiguria e jetës së njeriut, sidomos e femrës, rrezikoi të fusë me përmasa të frikshme gjithë shoqërinë shqiptare në rrugën e deformimeve të ndjeshme të karakterit dhe të vetë qenies. Në këtë situatë gri veprojnë personazhet në romanin më të ri të Fatos Kongolit. Dy pleq, në një vilë, dhe një infermiere që kujdeset për ta. Në aktin e fundit të jetës, pleqtë i shkruajnë letra njëri-tjetrit, të cilat i zhdukin pa lënë gjurmë, ndërsa infermierja përpiqet më kot ti shtjerë në dorë. Botën e mbyllur të vilës e trazojnë kohë më kohë doktori i familjes, njeri qejfli, hokatar dhe i paparashikueshëm; djali i pleqve, bos i një firme të fuqishme ndërtimi, me gruan e tij të re e të bukur; vajza e madhe e pleqve, gjyqtare e rreptë; një femër enigmatike, po aq e bukur, veshur gjithmonë me të zeza, etj. Duke na sjellë me këtë libër prozën e tij më të përkryer, Kongoli, përmes rrëfimit të infermieres, zbulon misteret e saj, dramat e personazheve, me ndërlikimet, dëshirat e fshehura, në një mjedis shpesh të egër, të pamëshirshëm, ku femra është më e pambrojtura. Një qasje ndaj ekzistencës njerëzore, që nuk e kemi hasur më parë në letrat shqipe.
****************************************
Të dhëna për shkrimtarin Fatos Kongoli
Ka lindur në Elbasan më 1944, ka studiuar për matematikë, pjesërisht në Pekin, pjesërisht në Tiranë, ku është diplomuar në vitin 1967. Ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri. Është autor i një vargu librash. Shquhen sidomos romanet e tij, të vlerësuar nga lexuesi shqiptar dhe i huaj. Librat e Kongolit janë botuar në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari, Serbi, Britani e Madhe, me jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane si Le Monde, Le Figaro, La Stampa, Le Temps, Le Soir, LExpress, Magazine Littéraire, Der Tagesspiegel, The Guardian, The Indipendent, etj. Është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë dhënë nga Ministria e Kulturës (1995, 2000, 2002), si dhe i çmimit Velia (2000). Është fitues i çmimit ndërkombëtar Ballkanika-2002. Është fitues, gjithashtu, i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri Penda e Artë (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin Shkrimtari i vitit për 2006-ën, ndërsa romani Lëkura e qenit, përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.