Financimet, bëhen publikë donatorët, gjoba partive
Në ditët në vijim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zbatojë vendimin për gjobitjen e 24 partive që morën pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit, por që thyen rregullat, për sa i përket financimit. Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, u vendos që në ditën në vijim do të hartohen edhe dy vendime të tjera të ndara. Në njërin prej tyre do të bëhen me dije emrat e donacioneve private që ka pasur për partitë politike, ndërsa në tjetrin do të merret vendimi për gjobitjen e 24 partive që thyen rregullat për financimet. Në total, 24 forca politike rezulton se nuk kanë respektuar kërkesën e parashikuar për të hapur një llogari të posaçme për dhurimin e fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë. Nuk mungon edhe rasti i fshehjes së shpenzimeve të bëra nga parti të ndryshme, të cilat nuk i kanë dokumentuar ato. PSD-ja, PAA-ja, PDK-ja, PLL-ja e disa parti të tjera nuk kanë respektuar kërkesat e parashikuar nga neni 91, pika 3 e Kodit Zgjedhor pasi shpenzimet e kryera prej tyre për fushatën zgjedhore nuk janë dokumentuar duke respektuar legjislacionin tatimor. Për të gjitha këto shkelje KQZ-ja ka parashikuar sanksione administrative gjobë në masën 50 mijë lekë për secilën prej partive që nuk kanë respektuar kërkesat e ligjit. Disa parti do të gjobiten me nga 60 mijë lekë të reja.