Siguria, Basha, Koekelberg: Shqipëria, shumë pranë “Shengen”-it
Angazhimi i qeverisë shqiptare për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, sipas ministrit Basha, ka bërë që ecuria e pajisjes së qytetarëve me dokumente të sigurta identiteti dhe instalimin e sistemeve analoge me vendet Shengen për menaxhimin e integruar të kufirit dhe analizën e informacionit kriminal të ecë me ritme shumë të shpejta.
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha takoi dje Komisionerin e Përgjithshëm të Policisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, Fernand Koekelberg.
Komisioneri i Përgjithshëm i Policisë Federale të Belgjikës vlerësoi rezultatet e policisë shqiptare në luftë kundër krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme, si dhe gatishmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim në goditjen e elementëve kriminalë. Koekelberg shprehu interesimin dhe angazhimin e plotë të Policisë Federale të Belgjikës për shkëmbimin e informacionit dhe arritjen e rezultateve konkrete për ekzekutimin e fletë-arresteve dhe kryerjen e procedurave përkatëse për t’ia dorëzuar drejtësisë personat e kërkuar në të dy vendet. Policia shqiptare dhe ajo belge do të thellojnë nivelin e bashkëpunimit dypalësh, në shkëmbimin e informacionit, si në ekzekutimin e fletë-arresteve dhe të ekstradimeve të kërkuara nga gjykatat e të dy vendeve respektive. “Kemi sfida dhe objektiva të njëjta dhe përballemi me të njëjtat kërcënime të kriminalitetit, ndaj duhet të thellojmë bashkëpunimin dhe në veçanti shkëmbimin e përvojës dhe informacionit”, - u shpreh Basha. Ministri i Brendshëm paraqiti në takim një pasqyrë të përgjithshme të rezultateve Policisë së Shtetit, kundër të gjitha aktiviteteve kriminale e në veçanti ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Basha theksoi se rezultatet në luftën kundër kriminalitetit e rendisin Shqipërinë si vendin më të sigurt sot në Ballkanin Perëndimor e po kështu Shqipëria nuk përbën sot një vend domethënës për transitet e drogës apo trafiqet e tjera të paligjshme. Numri një i Ministrisë së Brendshme shtoi se goditje kanë marrë edhe aktet korruptive në të gjithë sektorët e administratës publike, duke përmendur faktin se vetëm javët e fundit janë goditur 12 raste të tilla.