E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Kosovë: Shqipëria, mbështetje për në BE



Kosova e pavarur është një realitet që duhet njohur nga të gjithë, pasi ajo, shteti më i ri i Ballkanit, po ecën e sigurt drejt perspektivës evropiane. Me këtë bindje u nis për një vizitë dyditore në Kosovë, ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta. Gjatë ditës së parë, ai u takua me Presidentin Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Jashtëm Hyseni. Ai i siguroi krerët e shtetit kosovar se do të kenë në mënyrë të vazhdueshme mbështetjen e shtetit amë. Presidenti Sejdiu gjatë takimit e falënderoi z. Meta për mbështetjen e fuqishme që Republika e Shqipërisë i ka dhënë, i jep dhe do t’i japë Kosovës, si dhe për përkushtimin e madh të ministrit Meta që të mbështesë Kosovën në proceset e rëndësishme të integrimeve, të demokracisë, të funksionimit të institucioneve dhe në veçanti për angazhimin e posaçëm të gjithë rrjetit diplomatik të Republikës së Shqipërisë, por edhe të udhëheqësve me të lartë të vendit, në shtimin e njohjeve për Republikën e Kosovës. Bashkëpunimet rajonale si dhe marrëdhëniet dypalëshe me Republikën e Shqipërisë, Presidenti Sejdiu i quajti të interesit të veçantë. Ai përmendi kontributin që Republika e Shqipërisë ka pasur në rajon dhe në bashkëpunimin ndërfqinjësor edhe me vendet e tjera, duke shtuar se ardhja e z. Meta në Prishtinë dhe takime të tjera që ai do të zhvillojë me përfaqësuesit e institucioneve të tjera, do të jenë një garanci plus e këtij përkushtimi. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, theksoi të ketë biseduar me Presidentin Sejdiu për stadin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, i cili sipas tij, gëzon një partneritet në rritje në të gjitha fushat, si dhe për drejtimet sa i përket dinamikës në proceset integruese në Bashkimin Evropian. “Dua të shpreh konsideratën më të lartë për progresin që e ka arritur shteti i ri i Kosovës në njohje në një kohë shumë të shkurtër dhe jam i bindur se në themel të këtij progresi qëndron Kushtetuta demokratike dhe evropiane e Kosovës, ku pa dyshim roli i Presidentit Sejdiu ka qenë dhe është shumë i rëndësishëm dhe i vlerësuar në këtë stabilitet politik dhe të funksionimit të institucioneve në Kosovë”, - theksoi z. Meta. Ministri i Jashtëm shqiptar foli edhe për sfidat që i ka Kosova, siç është sfida e afirmimit të mëtejshëm të këtij shteti të ri, që, sipas z. Meta, gëzon njohje të jashtëzakonshme ndërkombëtare në një kohë të shkurtër dhe të cilat do të vijojnë pa u ndalur, si dhe sfidën për të pasur një perspektivë të qartë evropiane, e cila gjithnjë e më qartë po i ofrohet dhe do t’i ofrohet Kosovës. Kurse Presidenti Sejdiu vuri në dukje se stabiliteti i vendit dhe i qeverisjes ekziston. Gjithashtu, Presidenti Sejdiu theksoi se është me rëndësi që të jemi koshientë për rrugën dhe sfidat që i kemi para vetes për shumëçka dhe ajo çka është e interesit parësor për qytetarët e vendit, për Republikën e Kosovës dhe mendoj se ajo gjuhë e përbashkët ekziston edhe në qeverisje, por edhe me qytetarët e vendit. “Kushtetuta e vendit, si bazament kryesor i të gjithë ndërtimit institucional, është alfa dhe omega e vila duhet të respektohet dhe natyrisht edhe pjesa reciproke ë partnerëve të koalicionit të shkojë në një gjuhë të kuptimit të mirë dhe besoj se ajo ekziston dhe është çështje e tyre se si ata e vlerësojnë”, - theksoi Presidenti Sejdiu gjatë konferencës së përbashkët për media me z. Ilir Meta. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, takoi dje edhe Kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi, pas të cilit deklaroi se Kosova e pavarur është një realitet që duhet të pranohet nga të gjithë. “Kosova e pavarur dhe evropiane është në interesin jo vetëm të qytetarëve të Kosovës, por të të gjithë fqinjëve të saj. Pavarësia është një realitet që do të ishte mirë të njihej nga të gjithë, sepse çdo qëndrim tjetër nuk do t’i shërbente Ballkanit”, - pohoi z. Meta. Ndërsa Kryeministri Thaçi nga ana e tij e cilësoi si diçka shume pozitive perspektivat evropiane të dy vendeve. “Është mjaft inkurajuese kjo perspektivë e dy vendeve tona, NATO-n për Kosovën dhe BE-në për Shqipërinë”, - deklaroi z. Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›