E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financimi i terrorizmit, qeveria zbulon 70 raste

TIRANE- Njësia e Inteligjencës Financiare ka bllokuar gjatë periudhës janar-tetor te ketij viti një shumë prej rreth 3 milion e 150 mije eurosh, para të pista të prodhuara nga veprimtaritë e ndryshme kriminale në vend. Prej tyre, 2.5 milionë euro kanë qenë para të fituara nga veprimtaria e trafikut të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Shifrat janë bërë publike nga drejtori i kësaj Njësie, Arben Doçi gjatë një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare.

Ai bëri të ditur se Njësia e Inteligjencës Financiare ka shtuar numrin e denoncimeve për evazion fiskal dhe pastrim parash nga 7 në vitin 2007, në 180 në këtë vit. Në lidhje me rastet e raportit të transaksioneve të dyshimta të parave, Doçi evidentoi se ato janë rritur si në numër, ashtu edhe në vlerë krahasuar me vitet e mëparshme. Nderkaq edhe rastet e dyshuara për financim të terrorizmit në vendin tonë vijojnë të mbeten në nivel shqetësues.

Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Arben Doçi ka deklaruar se “në 10-mujorin e vitit 2009 i jane dërguar Shërbimit Informativ Shtetëror 70 raste të dyshuara për pastrim parash dhe financim terrorizmi”. Në fjalën e tij para deputetëve të Komisionit të Sigurisë, ai theksoi se raportimi i këtyre rasteve të dyshimta është bërë falë bashkëpunimit të ngushtë me shërbimin sekret. Keshtu mes te tjerash është arritur të zbulohet se, një shtetas shqiptar kishte tentuar të kryente një transfertë bankare në Pakistan, në drejtim të një individi të dyshuar si terrorist.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›