E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxori sekretin, Bullgaria i heq imunitetin ish-kryeministrit

SOFJE - Parlamenti bullgar, me një votim unanim të 172 deputetëve, vendosi dje heqjen e imunitetit parlamentar të ish-kryeministrit Sergei Stanishev (2005-2009), aktualisht kryetar i partisë Socialiste bullgare dhe njëkohësisht deputet i parlamentit. Parlamenti vendosi t'i heq imunitetin për të lejuar vazhdimin e hetimeve, pasi Stanishev dyshohet se ka shkelur ligjet për sekretin shtetëror. Prokurori i përgjithshëm i republikës, Boris Velcev, kërkoi dje heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit, për t'i hapur rrugë fillimit të një hetimi kundër Stanishev. Kjo çështje u denoncua një javë më parë nga kryeministri aktual i qendrës së djathtë, Boyko Borissov, i cili e akuzoi Stanishev se kishte abuzuar me dokumente konfidenciale të Shërbimit për sigurinë kombëtare dhe në veçanti me një dosje sekrete për raste korrupsioni. Lideri socialist e përkufizoi sot sulmin kundër tij si "një farsë propagandistike" dhe "shfaqje para njerëzve për t'i penguar të shohin se çfarë po ndodh realisht në vend nga pafuqia e qeverisë së Borissov". Në fakt dje Stanishev depozitoi personalisht pranë sekretarisë së parlamentit një kërkesë për heqjen e imunitetit.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›