E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financimi i universiteteve, si do të ndahen fondet

Gati nisja e reformës financiare. Bardhyl Musai: “Do të ketë një mënyrë tjetër të shpërndarjes, jo mbi bazën e kërkesave për fonde nga universitetet, por mbi bazë të parimit të bazuar në performancë, parim i cili ka të bëjë me faktin që paraja ndjek studentin”

Gati nisja e reformës financiare në arsimin e lartë, që do të zbatohet për herë të parë në vendin tonë, e cila ndryshe nga praktika e ndjekur deri më sot, ku vetëm universitetet publike kanë marrë fonde nga shteti, tashmë do të financohen edhe universitetet private.

Sipas skemës së re të financimit, lekët e dhëna nga qeveria do të shkojnë drejtëpërsëdrejti tek studentët dhe programet e studimit, në bazë të kritereve që do të vendosen. Këshilltari i kryeministrit për arsimin, Bardhyl Musai shpjegon disa nga detajet e kësaj nisme, dokumenti i së cilës tashmë ka mbërritur në zyrat e drejtuesve të universiteteve. “Do të ketë një mënyrë tjetër të shpërndarjes, jo mbi bazën e kërkesave për fonde nga universitetet, por mbi bazë të parimit të bazuar në performancë, parim i cili ka të bëjë me faktin që paraja ndjek studentin. Për këtë po hartohen disa kritere të cilat kanë të bëjnë me kuotat që do t’i jepen universiteteve, me një nivel të caktuar të cilësisë së pranuar nga rezultatet e Maturës Shtetërore. Do të ketë një fond të veçantë për të dhënë bursa, për të inkurajuar këta lloj studentësh, pra gjithmonë me fokus cilësinë”, - thotë Musai. Përfaqësuesi i qeverisë për arsimin shpjegon se universitetet publike nuk duhet të jenë në panik për zbatimin e kësaj reforme, pasi edhe për privatët do të zbatohen kritere të rrepta. “Arsimi privat do të plotësojë dy kritere themelore. Në radhë të parë do të plotësojë kriterin themelor të cilësisë, pra të jenë të akredituara dhe e dyta të jenë me status jofitimprurës, pra kjo nuk jepet për fitime për universitetin, por kjo është para që financohet nga shteti për studentët”, - pohon këshilltari i kryeministrit për arsimin. Reforma finaciare pritet të ndezë debate në javët në vazhdim, pasi Ministria e Arsimit ka dërguar udhëzimet përkatëse për të marrë mendimet e të gjithë aktorëve të interesit. Financimi i universiteteve sipas kësaj skeme të re parashikohet të bëhet i mundur vetëm në vitin 2013. Fillimisht përmes kësaj skeme do të financohen studimet e nivelit “Bachelor” dhe studimet post sekondare dyvjeçare, por kjo nuk përjashton mundësinë e financimit edhe të studimeve të masterit në degët më të rëndësishme për vendin. Parimi bazë i reformës së financimit të arsimit të lartë do të jetë: fondet publike ndjekin studentin në shkollat e larta publike dhe private që plotësojnë standardin e cilësisë. Bursa studimi do të përfitojnë studentët që kanë kaluar me sukses Maturën dhe kanë arritur një prag të caktuar të pikëve, ndërkohë që do të ketë bursa për fushat prioritare dhe për ekselentët. Sipas skemës së re, do të funksionojë edhe sistemi i kredisë studentore, sipas të cilit, çdo student që regjistrohet në universitet publik apo privat do të ketë të drejtë të marrë një kredi studentore, por me kushtin e cilësisë. Shlyerja e kredisë do të bëhet në kohën kur vetë studenti të fillojë të punojë, që të mos bëhet barrë e familjes.

Fushat e studimit

Për financimin e programeve për “diplomat e dyfishta” do të merret parasysh grupi ku programet përshtaten më shumë me njëri-tjetrin. Fushat e studimit do të jenë:

1.Mjekësi

2.Infermieri

3.Shkenca inxhinierike

4.Shkenca natyrore

5.Shkenca të informacionit

6.Shkenca bujqësore, veterinare dhe pyjore

7.Shkenca sociale (drejtësi, sociologji, shkenca politike dhe të komunikimit)

8.Ekonomi dhe biznes

9.Filologji (gjuhët e huaja, histori, gjeografi, letërsi, gjuhë shqipe, filozofi)

10.Shkenca të edukimit

11.Artet

12.Sportet

Pranimet, si do të përcaktohen kuotat te publiku

Qeveria do të përdorë një metodë për llogaritjen e numrit të kuotave në çdo kategori në çdo universitet publik, duke u bazuar në: në nevojat kombëtare, duke pasqyruar edhe nevojat e tregut të punës (për shembull, nga anketimet kombëtare të tregut të punës), si dhe politikat e tjera kombëtare; në kapacitetin e universiteteve, kapacitetin dhe cilësinë e programeve të studimit në vitet e kaluara (si për shembull, përshtatshmëria e lidhur me drejtimin e të diplomuarve dhe me cilësinë lidhur me proceset e sigurimit të cilësisë të APAAL-it); në kërkesat e studentëve, siç tregohet, për shembull, nga tendencat e aplikimeve në vitet e kaluara. Universitetet më pas pritet që të rekrutojnë studentë të rinj për të plotësuar kuotat e tyre të alokuara, me një fleksibilitet +/-5%. Qeveria do të përdorë numrat aktualë të studentëve për çdo kategori, si bazë për llogaritjen e financimit. Kjo do të kërkojë që çdo universitet të sigurojë të dhëna të verifikueshme për numrin e studentëve që aktualisht studiojnë në to. Nëse një program arrin të rekrutojë studentë (cilësorë) aq sa është kuota e vendosur +/-5%, kjo do të thotë se ekziston kërkesë e lartë nga studentët dhe se kjo kërkesë duhet të reflektohet në kuotimin e vitit pasardhës. Nëse një program do të rekrutojë studentë më pak se kuota e vendosur +/-5% e më shumë, kjo do të merret si një tregues i mungesës së kërkesës dhe kuota do të reduktohet në vitin e ardhshëm dhe, nga formula e financimit, edhe buxheti i universitetit do të reduktohet - universitetit do t’i duhet të gjejë fonde shtesë ose, nëse kjo nuk do të jetë e mundur, atëherë do t’i duhet të bëjë kursime, të cilat mund të përfshijnë edhe zvogëlimin e numrit të personelit akademik.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›