Energjia/ Balluku-opozitës: Po transformoni të vërtetën! 22 milion euro mbështetje qytetarëve

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, i është përgjigjur deputetes së PD-së, Jorida Tabaku e cila deklaroi se 40% e shqiptarëve kanë vështirësi të paguajnë faturat e energjisë elektrike. Nga foltorja e Kuvendit, Balluku tha sa raporti të cilit i referohej Tabaku tregonte përqindjen e qytetarëve që kishin vështirësi në ngrohjen e shtëpive, për shkak se banesat e tyre kishin mungesë eficencë.
“Të thuash që 40% e qytetarëve nuk paguajnë dot energjinë, duhet të kesh baza. Kjo shifër i referohet raportit të vitit 2020 dhe flitet për persona që kanë vështirësi në ngrohjen e shtëpisë dhe jo me pagesën e energjisë, nuk flitet për konsumatorë që s’kanë mundësi për të paguar faturën por që nuk kanë mundësi për të plotësuar ngrohjen e shtëpisë, shtëpi jo eficiente. Të gjitha pallatet e ndërtuara në kohën e komunizmit, kanë zero izolim dhe për këtë arsye kanë mungesë eficience dhe këto familje kanë vështirësi në ngrohje. Por ta transformosh e të thuash që 40% e shqiptarëve nuk kanë mundësi të paguajnë faturën e energjisë, është e pavërtetë. Nëse duam t’i referohemi shifrave, t’i referohemi në mënyrë të saktë”, tha Balluku.
Sa i përket ndihmës që qeveria jep për qytetarët, Balluku theksoi se janë 22 milionë e 205 mijë euroqë shkojnë për mbështetje.
“Dëgjova se janë shpenzuar mbi 400 milionë dollarë për energjinë. Nuk është e vërtetë. Deri në shtator janë konsumuar rreth 300 milionë, një pjesë e konsiderueshme janë mbuluar nga vetë sektori. Këto shifra nuk kanë ekzistuar në kohën tuaj kur përmbytej Shqipëria nga shirat dhe dilnit e blinit nëpër importe. Ju gënjeni për çfarë të doni, por sektori energjetik është i bazuar në numra, fakte e shifra. Për sa i përket ndihmës, Shqipëri jep 22 milion e 205 mijë euro. Vendi i dytë pas Shqipërisë është Bosnje Hercegovina”, theksoi Ministrja.
/rtsh.al/