E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e të Drejtave të Njeriut 2009: Të përqafojmë diversitetin

Gülden Türköz-Cosslett* 

Sot, më 10 dhjetor, ne festojmë Ditën e të Drejtave të Njeriut, 61 vjetorin e miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Tema e këtij viti është: “T’i japim fund diskriminimit: Të përqafojmë diversitetin” – temë me një rëndësi shumë të madhe për të gjitha shoqëritë në mbarë botën. Të gjithë, pavarësisht nga seksi, besimi fetar, raca, kombësia, gjendja shëndetësore, aftësitë e kufizuara, orientimi seksual apo opinioni politik, kanë diçka për të ofruar. Nëse përqafojmë diversitetin dhe përfshirjen sociale ne i thellojmë dhe i pasurojmë më shumë shoqëritë tona dhe nga kjo kemi të gjithë diçka për të përfituar. Megjithatë, diskriminimi është ende shumë i përhapur në çdo vend dhe kjo nuk është koha për të rënë në qetësi.
Në Shqipëri, tema e dhënies fund të diskriminimit dhe përqafimit të diversitetit ka një jehonë të veçantë. Shqipëria ofron një model për vendet dhe shoqëritë e tjera për sa i përket tolerancës së vërtetë dhe mirëkuptimit reciprok dhe kjo vjen si shkak i harmonisë fetare mbresëlënëse që ekziston në këtë vend. Megjithatë, ka shumë punë për t’u bërë në fushat e tjera. Një e treta e grave shqiptare vuajnë nga dhuna fizike, megjithatë nuk ka ende mbrojtje të mjaftueshme nga abuzimi. Vetëm një e treta e shqiptarëve me aftësi të kufizuara dhe që janë në gjendje të punojnë përfshihen aktualisht në punë. Në disa rrethe, aksesi në arsim për fëmijët romë është vetëm 13 për qind.
Me lëvizjen e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, krijimi i një komuniteti gjithëpërfshirës është kritik. Një element i rëndësishëm i integrimit evropian është respektimi i vlerave të përbashkëta. Dhënia fund e diskriminimit dhe përqafimi i diversitetit nëpërmjet promovimit të një Shqipërie që përfshin të gjitha shtresat e shoqërisë, janë thelbësore në respektimin e këtyre vlerave të përbashkëta.
Tashmë është gjithnjë e më e qartë se shoqëritë e barabarta zhvillohen më shpejt dhe me më shumë barazi. Sigurimi i arsimit gjithëpërfshirës dhe i një pune të përshtatshme për të gjithë burrat dhe gratë pavarësisht racës, aftësisë së kufizuar apo statusit si minoritet do të thotë se në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit do të kontribuojnë më shumë njerëz, të cilët në të njëjtën kohë do të përfitojnë nga ky zhvillim. Në kontrast me këtë, diskriminimi ushqen mosbesimin, mërinë, dhunën, krimin dhe pasigurinë – duke reduktuar kështu prodhimtarinë dhe duke mos sjellë asnjë rezultat në ekonomi.
Për më tepër, promovimi i një Shqipërie që përfshin të gjitha shtresat e shoqërisë, lidhet me respektimin e dinjitetit të secilit shqiptar. Një grua që pëson dhunë në shtëpi apo që për të njëjtën punë paguhet më pak se kolegu i saj mashkull; një femër me aftësi të kufizuara, e cila hiqet nga puna për shkak të besimit të pavërtetë se ajo nuk mund të ketë rendiment në punë; një fëmijë rom, i cili ka frikë të shkojë në shkollë për shkak të talljeve të nxënësve të tjerë dhe mësuesve; këta janë personat që nuk mund të jetojnë një jetë të qetë dhe me dinjitet. Duke krijuar një shoqëri që përfshin të gjitha shtresat, ne eliminojmë qëndrimet dhe barrierat që pengojnë fqinjët tanë, pjesëtarët e familjes dhe bashkë qytetarët, që të jetojnë jetën në maksimum dhe të marrin pjesë në shoqëri në mënyrë të barabartë.
Agjencitë e Kombeve te Bashkuara në Shqipëri, duke punuar si një trup i vetëm, po rrisin mbështetjen e tyre në ndërtimin e një Shqipërie sociale, që përfshin të gjitha shtresat e shoqërisë. Duke forcuar kapacitetet në qeveri, si në nivel lokal, ashtu dhe në nivel qendror, për të krijuar ligjet dhe institucionet e nevojshme për t’i dhënë fund diskriminimit dhe duke punuar me shoqërinë civile gjithashtu edhe me gratë e burrat, personat me aftësi të kufizuar, romët, dhe njerëzit që jetojnë në zonat rurale, ne po e ndihmojmë Shqipërinë që të përmbushë detyrimet e saj në krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse në një kohë kur vendi po bën përpara drejt integrimit evropian.
OKB-ja mbështet strategjinë kombëtare të Shqipërisë për Aleancën e Qytetërimeve, duke ndihmuar në promovimin e mirëkuptimit dhe pajtimit midis kulturave në mbarë botën. Takimi i ardhshëm rajonal për Aleancën e Qytetërimeve në Sarajevë, më 14 dhjetor, do të krijojë mundësinë që Shqipëria të ndajë përvojën e saj rreth tolerancës kulturore dhe të promovojë diversitetin. Gjatë takimit do të hartohet strategjia e parë Rajonale për Dialogun Ndërkulturor dhe Bashkëpunimin në Evropën Juglindore - një hap i rëndësishëm ky për t’i dhënë fund diskriminimit dhe për të përqafuar diversitetin në rajon.
Të gjithë ne duhet të veprojmë. Gjithkush, jo vetëm qeveria, duhet të mendojë se si mund të sheshojmë barrierat në shoqëri, të cilat çojnë drejt diskriminimit dhe përjashtimit. Për të arritur përparimin dhe sigurinë që premton integrimi evropian, procesi do të duhet të shoqërohet nga veprime të bashkërenduara, duke përfshirë rritjen e investimeve sociale dhe ngritjen e kapaciteteve, në mënyrë që të sigurohet rritja e shpejtë e mirëqenies për të gjithë shqiptarët.
Doja të citoja fjalët e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navay Pillay “Prandaj dëshiroj të nxis të gjithë – politikanët, zyrtarët, liderët e bizneseve, shoqërinë civile, institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut, mediat, udhëheqësit fetarë, mësuesit, studentët, dhe çdo njeri tjetër, kudo në botë – që të nderojnë Ditën e të Drejtave të Njeriut 2009, duke përqafuar diversitetin dhe duke vendosur marrjen e masave konkrete dhe afatgjata për t’i dhënë fund diskriminimit”.

*Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuese e Përhershme e PNUD në Shqipëri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›