Topi, në takim me Finin, vlerëson mbështetjen e Italisë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Italisë, Xhanfranko Fini. Në bashkëbisedimin mes dy personaliteteve të larta u vlerësuan niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve mes dy vendeve. Presidenti Topi vuri në dukje faktin se Shqipëria e shikon Italinë mike e fqinje si një partnere të rëndësishme strategjike dhe mbështetëse të fortë në rrugën e saj për realizimin me sukses të aspiratës për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Presidenti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar dypalësh si dhe të strukturave të tjera institucionale, sidomos tashmë kur shqiptarët po punojnë dhe shpresojnë në liberalizimin sa më të shpejtë të procesit të vizave.
Protesta jashtë Parlamentit
PD-ja në seancën kuvendore: Kjo është greva e turpit
Gjatë seancës së djeshme parlamentare, deputetët e PD-së, në mungesë të kolegëve të tyre opozitarë, të gjithë njëzëri e kanë cilësuar grevën e PS-së si grevën e turpit. Gjatë 60 minutave të diskutimit të lirë, deputetët e maxhorancës kanë akuzuar Ramën se po e përdor grevën vetëm për arsye personale. Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, në fjalën e tij e ka cilësuar si të turpshme grevën e PS-së që, sipas tij, është nisur me urdhër të kryetarit të saj, Edi Rama, që frymëzohet nga Ramiz Alia. “Shqipëria nuk ka pasur kurrë më shumë mundësi për t’iu afruar Europës sesa ajo në vitet 2009-2010. Është e papranueshme sjellja e Ramës që e keqinformon shoqërinë. Admirimi i Ramiz Alisë për grevën e Edi Ramës tregon se kjo është greva e turpit”, - ka deklaruar Bumçi.
Edhe deputetja Albana Vokshi e cilësoi zhvillimin e grevës si rikujtim të regjimit komunist nga bijtë e ish-bllokmenëve, siç i cilësoi ajo drejtuesit e PS-së.
“Komunizmi u rrëzua, por nuk u çrrënjos. Ngjarjet e fundit po na kujtojnë komunizmin. PS-ja ka ngritur grupin e rrugës. Thirrjet ‘ja vdekje, ja liri’, ‘vdekje fashizmit, liri popullit’ po na kujtojnë ngjarje të dhimbshme. Këto tregojnë se lideri i opozitës nuk është distancuar nga e kaluara. I bëj thirrje Ramës të mos i përdorë njerëzit për qëllimin e tij për pushtet”, - është shprehur Vokshi. Ndërsa aktorja e njohur, njëkohësisht deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku, e cilësoi të turpshëm destabilizimin e vendit në një moment të rëndësishëm siç është liberalizimi i vizave dhe shqyrtimi i kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.
Ndërkohë që brenda në seancë deputetët e PD-së kanë akuzuar liderin e PS-së, jashtë sallës së Kuvendit, me qindra simpatizantë të PS-së protestuan për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Protestuesit, të mbledhur nga qytete të ndryshme të vendit, kërkuan me parulla në duar hapjen e kutive të votimit, ku sipas tyre fshihet krimi elektoral. Përveç transparencës së zgjedhjeve, protestuesit kërkojnë edhe marrjen e masave kundër krizës ekonomike dhe varfërisë që ka përfshirë vendin.
7 Maj 2010