Fiorentina-Bajern, pranë një shkëmbimi Mutu-Podolski
Lukas Podolski e ka shumë të vështirë të gjejë hapësirë te Bajerni i Mynihut, ku është lënë në harresë për shkak të bllokimit, që i është bërë nga sulmuesit e tjerë Toni, Riberi e Klose. Për këtë arsye, sulmuesi i ri nuk është aspak i kënaqur te skuadra bavareze. Aktivizimi shumë i pakët i tij në këtë sezon, duket se po e detyron, që të mendojë largimin si një mundësi shumë të mirë, e cila mund t‘i japë një tjetër rrjedhë karrierës së tij. Por, nuk i ka duart e lira, për të vendosur largimin, pasi është ende nën kontratë me Bajernin. Megjithatë, mund të manifestojë me zë të lartë pakënaqësitë e tij, duke kërkuar forcë të shitet diku tjetër sa më shpejt që të jetë e mundur. Edhe ai është shumë i joshur nga kampionati italian dhe, sipas zërave të fundit në qarkullim, është futur në shënjestrën e Fiorentinës. Korvino po mendon për të si pasuesi i Mutu, i cili tashmë nuk është se ka marrëdhënie të mira në ambientin violë. Dhe për rastësi, talenti rumun i pëlqen pikërisht Bajernit të Mynihut. Prandaj, shkëmbimi mund të jetë një mundësi e mirë për të kënaqur të dy klubet e interesuara. Një shkëmbim i barabartë, pasi Mutu në këto momente është më i fortë, por gjermani është shumë më i ri në moshë. Tani po bëhen llogaritë, prandaj askujt të mos t‘i vijë si surprizë.