Hitcfeld, kurrë pa Tonin: "Kafshë" golash
"Një ‘kafshë‘ golash, që nuk dëshiron asnjëherë të çlodhet". Në këtë mënyrë, trajneri i Bajernit të Mynihut, Otmar Hitcfeld, përkufizon Luka Tonin, golashënuesin më të mirë të Bundesligës, me 20 gola të realizuar. "Toni ka një mentalitet të jashtëzakonshëm, vazhdoi drejtuesi i stolit bavarez. Shpeshherë ka ndodhur që e kam pyetur nëse dëshiron të qetësohet, por ai më përgjigjet se do të qëndrojë në fushë dhe të shënojë". Vlerësimi ka ardhur vetëm pak orë përpara finales së Kupës së Gjermanisë, ku Bajerni do të luajë kundër Borusias së Dortmundit. Takimi do të startojë në orën 20:00 dhe në "Olimpiashtadium" i pranishëm pritet të jetë edhe presidenti gjerman, Horst Kohler. Bavarezët synojnë që të sigurojnë trofeun numër 2, nga katër që janë në garë: Kupa e Ligës (të cilën e kanë fituar), kampionat, Kupa e Gjermanisë dhe Kupa UEFA. Ndërkohë, edhe portieri legjendar i Bajernit, Oliver Kahn, ka deklaruar se Toni është një ndër sulmuesit më të mirë që kanë veshur ndonjëherë fanellën e gjigandëve të Gjermanisë. Përveçse udhëheq klasifikimin për shënues në Bundesligë, ai është edhe shënuesi më i mirë në Kupën UEFA, e dygolëshi i tij kundër Gedafes u siguroi bavarezëve në gjysmëfinale. "Në lidhje me aftësitë shënuese, ai është një nga më të mirët që kam parë të aktivizohet me Bajernin, pohoi Kahn, që në fillim të edicionit kishte kritikuar Tonin për mënyrën e lojës. Ai di ta fusë topin në rrjetë dhe me këtë cilësi ka shumë pak futbollistë në qarkullim. Në zonën e rreptësisë Toni ndjehet si në shtëpinë e tij dhe është gjithmonë në vendin e duhur. Për këtë arsye nuk ka nevojë për shumë raste që të shënojë". Në Berlin, afro dy vjet më parë, Toni ka fituar trofeun më të rëndësishëm në karrierë, Kupën e Botës në finalen ku Italia mposhti Francën. Ndërkohë, kundër Borusias ai pritet të jetë sërish protagonist. Fillimisht italiani i "kthen favorin" kapitenit të tij, duke thënë se "karriera e Kahnit flet vetë. Ai ka fituar shumë trofe, por vazhdon të pretendojë majat dhe padyshim që do ta ndihmojë skuadrën të triumfojë të shtunën (sot)". Ish-sulmuesi i Fiorentinës ka ngacmuar edhe kolegët francezë te Bajerni: "Jam i sigurt se Sanjol dhe Riberi kanë kujtime të ndryshme nga të miat në ‘Olimpiashtadium‘. Gjithsesi shpresojmë të kemi fat dhe të festojmë fitoren e kësaj kupe".