E Diel, 1 Nëntor 2026

Fiqirete Shehu: Çfarë i tha Mehmetit pak çaste para vetëvrasjes Kadri Hazbiu

 

AFRIM IMAJ

Rrëfimi i Fiqiretes për çastet e fundit të Mehmet Shehut, është një nga momentet kulmore të dramës misterioze që përjetoi familja kryeministrore. Ajo çfarë ndodhi mbrëmjen e ftohtë të 17 dhjetorit ‘81, në shtëpinë e Mehmet Shehut, për të venë e tij, ishte një kurth i përgatitur nga Kadri Hazbiu dhe padronët sovjetikë e jugosllavë. Aktin fatal të bashkëshortit të saj, Fiqirete Shehu e vlerëson fund e krye produkt të agjenturave të huaja, për të cilat Mehmet Shehu, sipas saj, kishte investuar prej vitesh. Për gjithçka dëshmon rreth kësaj, e veja e kryeministrit të vetëvrarë në kushte të dyshimta, i referohet bisedës së fundit që ka bërë me të vetëm pak çaste kur i shoqi do të merrte guximin për t’u vetëflijuar. Për herë të parë nëpërmjet dëshmisë së Fiqirete Shehut zbardhen rrethanat në të cilat ka ndërruar jetë kryeministri i kryqëzuar atë ditë nga Byroja Politike për zbutje të luftës së klasave. Për ta bërë sa më të qartë atë që ka ndodhur me Mehmet Shehun mbrëmjen e 17 dhjetorit, e veja e tij, zbulon një skemë që në pamje të parë të duket sa e mistershme, aq edhe e pabesueshme. Tragjedia sipas saj, ka nisur me takimin e fshehtë që Kadri Hazbiu ka bërë me Enver Hoxhën me porosi të zbulimit jugosllav në shtator ’81, ku e ka informuar për lidhjen e djalit të Mehmetit me një vajzë me biografi jo të mirë politike. Ngjarja mandej kulmon me dy ditët e fundit të kryeministrit të vetëvrarë: Në datën 16 dhjetor, Feçor Shehu i ka çuar Mehmetit mesazhin e UDB-së për të vrarë me armë zjarri Enver Hoxhën në mbledhjen e Byrosë Politike, që do të zhvillohej të nesërmen. Më 17 dhjetor kryeministri priste në shtëpi Kadri Hazbiun, të cilin e kishte urdhëruar për t’i sjellë gjykimin e zbulimit sovjetik lidhur me ultimatumin e Beogradit. Në hapësirën midis datave 16 dhe 17 dhjetor, ishte zhvilluar mbledhja e Byrosë Politike për kryqëzimin e Mehmet Shehut, që do të vijonte paraditen e 18 dhjetorit për të dëgjuar konkluzionet e Enverit dhe reagimin përfundimtar të kryeministrit. Pikërisht në makthin e kësaj pritjeje torturuese, në vilën e Mehmet Shehut do të shfaqej Kadri Hazbiu me të cilin, sipas Fiqirete Shehut, do të vendosej për vendimin fatal. Mehmet Shehu që nuk arriti të vrasë Enver Hoxhën, duhej të vriste veten! Sipas të vesë së ish- kryeministrit, ky ishte mesazhi i fundit që Hazbiu i dha Mehmet Shehut në mbrëmjen e vonë të 17 dhjetorit. Për gruan e kryeministrit të vetëvrarë, Hazbiu i përçoi atë natë urdhrin për t’u vetësakrifikuar, përndryshe do të përfundonte për mos më keq me tërë familjen dhe farefisin, pa vënë në diskutim meritat dhe lavdinë e udhëheqësit të lartë...
 
FIQIRETE SHEHU: Kadri Hazbiu e përdori fejesën e djalit tonë, Skënderit me vajzën e Turdive në fshehtësi për të goditur Mehmetin. Pikërisht për këtë shkoi fshehtas te sekretari i Parë i Komitetit Qendror për të informuar për përbërjen e familjes së Qazim Turdiut, që ishte me përbërje të keqe armiqësore. Pastaj gjithë qëndrimi i Kadri Hazbiut që nga shtatori 1981 deri më 17 dhjetor 1981, kur Mehmet Shehu vrau veten është pjesë e një skenari agjenturor të pabesë. Këto veprime Kadri Hazbiu i ka bërë jo me kokë të tij. Përsa i përket vajtjes te sekretari i Parë në shtator, kur ai kish marrë vesh gjoja për herë të parë për këtë çështje, Kadri Hazbiu meqë ishte Mehmet Shehu në Tiranë ishte konsultuar me amba­sadën jugosllave dhe ajo e porositi, zbuluesi jugosllav, që të vin­te ai vetë ta thoshte që të paktën të shpëtohej Kadri Hazbiu në këtë rast dhe të forconte ai pozitat e tij. Ndërsa gjithë veprimi tjetër që u bë që nga shtatori dhe deri më 17 dhjetor u bë duke u koordi­nuar, duke përpunuar një vijë sjellje të Kadri Hazbiut ndaj Mehmet She­hut, duke u mbajtur një qëndrim i dyfishtë dhe për këtë vijësjellje e për këtë qëndrim të Kadri Hazbiut qenë informuar edhe të dy agjen­turat, sovjetike dhe jugosllave, të cilat e kishin aprovuar, sidomos jugosllavja që i kishte thënë se duhet në këtë situatë Kadri Hazbiu ta godiste rëndë Mehmet Shehun... 
ARANIT ÇELA: Në çfarë mënyre...
FIQIRETE SHEHU: Më 17 dhjetor ishte dita e mbledhjes së Byrosë Politike dhe ajo mbledhje u zhvi­llua natyrisht e rëndë, me kritika të rrepta ndaj Mehmet Shehut, por ishte e tillë që ishin kritika normale, të atilla që siç kam shpje­guar në hetuesi, më ishin bërë edhe mua në organizatën-bazë, qoftë në formë pyetjesh, qoftë edhe në formë diskutimesh. Pra s’kishte asgjë aty për të arritur në një akt të atillë armiqësor, siç qe ai i vetëvrasjes. Por çështja është që natën e 17 dhjetorit, siç më ka treguar Mehmet Shehu, do të vinte Kadri Hazbiu për t’u takuar me Mehmet Shehun. Meqë më 16 dhjetor Mehmet Shehut i kish sjellë Feçor Shehu një letër në formë kërcënuese, në formë ultimatumi nga jugosllavët, me anën e së cilës kërkohej që Mehmet Shehu të vriste me armë zjarri, të likuidonte fizikisht sekretarin e Parë të Komitetit Qendror, udhë­heqësin e partisë m’u në mbledhje të Byrosë Politike. Këtë letër e kishte marrë Feçor Shehu te berberhana e Xhavit Pëllumbit dhe ia kishte sjellë Mehmet Shehut natën e 16 dhjetorit. Mehmet Shehu u trondit tje mase nga përmbajtja e letrës me kërcënimin e jugosllavëve që ose të kryente këtë gjë ose do të nxirrnin material komprometues ndaj Mehmet Shehut, që ai kishte kryer veprimtari armiqësore kundër Partisë. Feçorri këtë ja kishte thënë me gojë Mehmet She­hut. Ndërsa Mehmet Shehu e kish porositur që të kërkohej edhe men­dimi i sovjetikëve dhe atë mendim ta sillte Kadri Hazbiu. Natën e 17 dhjetorit në fakt Kadri Hazbiu ka ardhur në shtëpinë tonë. Atë e ka sjellë te korridori i madh i shtëpisë në katin e parë Ali Çeno­ja dhe atje e prita unë që doja të futesha të isha dhe unë në studion e Mehmet Shehut, ku do bëhej biseda midis Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut, por mbasi e prita Kadri Hazbiun në korridor dhe e futa në studion e Mehmet Shehut, Mehmet Shehu me tha, ti je e sëmurë shko, bile më pati porositur dhe më parë që të mos ngrihesha meqë unë isha e sëmurë, por unë duke qenë e shqetësuar për gjendjen përgjithësisht, se luhej me fatin e gjithë familjes sime zbrita që ta prisja Kadri Hazbiun. Po kur Mehmet Shehu më tha ik dhe Kadri Hazbiu përsëriti të njëjtën gjë ik, duke më thënë se mbasi të mbarojmë bisedën do ta shpjegojë shoku Mehmet, siç u shpreh ai. Unë ika se e mora si urdhër atë. Në fakt atë mbrëmje, atë natë është bërë një bisedë e tillë, të cilën Mehmet Shehu ma transmetoi mbasi iku Kadri Hazbiu. Ardhja e Kadri Hazbiut do të bëhej për të sjellë letrën e sovjetikëve, përgjigjen e sovjetikëve lidhur me ultimatu­min e dërguar nga jugosllavët. Por veç asaj u bë edhe një bisedë sepse Mehmet Shehu, siç më tregoi, e pyeti Kadri Hazbiun se si e gjykonte ai çështjen e mbledhjes së Byrosë Politike, gjendjen e tij dhe çmendonte edhe për atë porosi që kishin thënë edhe sovje­tikët që mund në mbledhjen e Byrosë Politike të kryhej akti krimi­nal për likuidimin me armë zjarri të sekretarit të Parë të KQ. Mehmet Shehu më tregoi se kur e kishte pyetur Kadri Hazbiun se si e shikonte ai gjendjen në Byronë Politike, Kadri Hazbiu i kishte thënë që shumë të rëndë e gjykoj atë mbledhje, atë gjendje dhe më duket se ti s’do ndahesh mirë nga kjo mbledhje. Këtë e them duke u mbështetur në pyetjet dhe në diskutimet që u bënë, e ke parasysh vetë. Ti u kritikove aty s’e ke vënë veten me ndërgjegje mbi partinë, s’e ke shkelur me ndërgjegje vijën e partisë për luftën e klasave. Dikush të bëri pyetjen edhe si s’ke nxjerrë mësime nga puçistët e tjerë, ndërsa sekretari i Parë i Komitetit Qendror kur mbylli seancën e sotshme tha, që kjo e sotshmja është një natë e rëndë, serioze për ty dhe autokritikën tënde e quajti alibi. Nga kjo unë nxjerr konkluzionin, i kishte thë­në Kadri Hazbiu, se udhëheqësi i partisë do të ketë ndonjë dokument të ri kundër teje, prandaj flet aq rreptë dhe në atë mënyrë. Përsa i përket aktit të vrasjes me armë zjarri në Byronë Politike të sekretarit të Parë i kishte thënë Kadri Hazbiu Mehmet Shehut, kjo më duket e parealizueshme, por edhe po të realizohet kjo do të thotë shfarosje e gjithë familjes tënde. Prandaj më duket se duhet menduar mirë para se të hidhet çdo hap. Në këtë mënyrë Kadri Hazbiu kishte bërë si të thuash një bisedë sugjestionuese ndaj Mehmet She­hut dhe i kishte shtruar në këtë drejtim alternativën: ose vrasje e sekretarit të Parë të KQ dhe shfarosje e gjithë fa­miljes tënde, ose vetëvrasje se në këtë rastin e dytë mund të dë­nohet akti i vetëvrasjes vetëm nga partia, por shpëton e gjithë fa­milja, nuk dalin në shesh të gjitha veprimet dhe punët armiqësore të kryera. Kjo është dhe në favor të organizatës si të thuash dhe agjenturave të huaja. Gjë që e ka çuar Mehmet Shehun në atë konk­luzion të vetëvrasjes. Këtë unë nuk e nxjerr si një konkluzion të thjeshtë nga koka ime, por duke u nisur nga disa fakte dhe konkretisht kur Mehmet Shehu erdhi nga mbledhja e Byrosë Politike rreth orës 8:15 na­tën e 17 dhjetorit ai ishte shumë i mërzitur, i bërë dyllë në fytyrë dhe i këputur sa më s’thuhet pas bisedës që bëri me Kadri Hazbiun. Nga kjo unë nxjerr përfundimin që Mehmet Shehu as që kishte ndërmend të vriste veten para se të bënte bisedën me Kadri Hazbiun. Gjithashtu para se të  bëhej biseda me Kadri Hazbiun, ne kishim bërë disa biseda, nga të cilat do të përmend dy, që tregojnë qartë që as i shkonte ndërmend Mehmet Shehut që të vriste veten. E para bisedë ishte kjo që, si në drekë ashtu dhe në darkë në kohën që hanim bukë mbas mbledhjes së Byrosë Politike, d.m.th., Mehmet Shehu më tha mua se më datën 18 mbasdite, të nesërmen, d.m.th., duhej të shkonim në 18:00 pasdite te sek­retari i Komitetit Qendror që i kishte vdekur e ëma për ngushë­llim. Këtë ma tha dhe në drekë. Po ashtu porsa erdhi nga Byroja Politike më pyeti çfarë bëtë, a folët me Nelin, d.m.th., me djalin tonë Skënder, që ishte në Suedi, meqë e kishim lënë që do flisnim në telefon në orën 08:00, unë i thashë që unë nuk fola, foli Ladi, vura atë të fliste dhe e lamë që nesër në orën 08:00 në darkë të flasim, apo do të flasësh sonte, i thashë unë. Jo, tha Mehmet Shehu, mirë e kini lënë nesër se mbaron dhe mbledhja e Byrosë Politike dhe i themi dhe atij që kur të kthehet, se dhe në Byronë Politike, veç letrës që i kam dërguar unë që të bëhet gati për kthim u tha që të kthehet sa me parë Skënderi dhe aty bisedojmë, së shpejti ai do të vijë tha, do ta kemi këtu midis nesh, do të fillojë punën. Pra nga këto çështje unë nxjerr atë, jo e nxjerr unë, po del qartë që Mehmet Shehu as që kishte ndërmend të vriste veten. Edhe që pikërisht ajo bisedë që mund të ketë qenë si alternativë në formë sugjestionuese, po mund t’ia ketë thënë dhe direkt hapur Kadri Hazbiu ose pa qenë Mehmet Shehu, dua t’i them dhe një herë trupit gjykues këtu, mua nuk ma tha që i tha hapur dhe për atë se ndofta s’ka dashur të më shqetësojë më shumë se mjaft e shqetësuar isha... 
RRAPI MINO: Ka pasur lidhje Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu e të tjerët me grupin e puçistëve dhe të sabotatorëve në ekonomi?
FIQIRETE SHEHU: Po, ka pasur ai ka qenë i lidhur në tërë veprimtarinë armiqësore të Mehmetit. Kadri Hazbiu sikurse dhe Mehmet Shehu kanë qenë në lidhje me puçistët. Mehmet Shehu ishte njoftuar qysh në vitin ‘70-’71, nga një prej agjenturave, ose sovjetike ose jugosllave, nuk më kujtohet se cila, që në ushtri vepronte një grup armiqësor i kryesuar nga Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako.  Për një grup të tillë i kishte folur, po në këtë kohë ‘71-‘71 edhe Feçor Shehu, Mehmet Shehut, të cilit nuk i ra në sy, nuk iu hap Mehmet Shehu, meqë dhe porosia e agjenturës, ashtu ishte që as Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, mos t’iu hapej, por vetëm të vepronte, ndërsa Kadri Hazbiu ia ka thënë Mehmet Shehut dhe Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu kanë qenë, jo vetëm në dijeni të grupit të puçistëve, por kanë qenë edhe organizatorë dhe drejtue­s të këtij grupi. Frymëzues për atë që ata, grup i puçistëve të godiste vijën e Partisë dhe Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, meqë dhe këta vetë kishin të atilla pikëpamje dhe vepruan, në fakt, kur u bënë ministra njëri pas tjetrit, të Mbrojtjes Popullore, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu kanë pasur pikëpamje diametralisht të kundërta me vijën e Partisë, me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, me kërkesat e Artit Ushtarak Popullor në të gjitha drejtimet, si përsa i përket karakterit të ushtrisë sonë, përsa i përket luftës frontale pozi­cionale, shkollave të lira, falsifikimeve, rolit udhëheqës të Par­tisë në ushtri. Thashë jo vetëm kanë zhvilluar biseda dhe kanë frymëzuar drejtuesit e grupit puçist, por edhe vetë kanë vepruar në atë drejtim. Në qoftë se më lejohet, unë mund të sjell një she­mbull, por ju thoni që është ezauruar kjo çështje...
Kur të flas për Feçor Shehun do tregoj edhe mënyrën se si e manipuluan procesin e si e ruajtën gjendjen që mos t’u delte emri...
vijon nesër...

Skënder Shehu: Mehmeti kërkoi futjen e nëndetëseve amerikane

“Goditjen për fejesën me Silva Turdiun, im at Mehmeti, e parandiente se do të ishte e rëndë dhe dërrmuese. Një ditë më thirri dhe më tha se që të dalim nga kjo situatë ku jemi futur(është fjala për fejesën time) mua më duhet të rakordoj me Kadri Hazbiun mendimet dhe veprimet që duhet të bëjmë më tej. Unë do t’u kërkoj amerikanëve që të krijojnë një situatë kërcënuese nëpërmjet incidenteve në ujërat tona me nëndetëset luftarake, të cilat duhet të futen në territorin shqiptar. Me propozimin e Kadriut që është ministër i Mbrojtjes, unë duhet të marr në dorë drejtimin e veprimeve ushtarake dhe kështu puna e fejesës del në plan të dytë. Do të jetë një gjendje e nderë që do të tërheq vëmendjen dhe për pak kohë do harrohet fejesa. Prandaj, tha babai, ti Skënder duhet të nisesh patjetër në Suedi të takohesh me agjenturën amerikane e t’u japësh këto kërkesat e mija, të cilat mendoj se do na nxjerrin nga situata ku ndodhemi”.

neser do te lexoni

E veja e kryeministrit rrëfen rolin e Mehmet Shehut në manipulimin e procesit të puçistëve dhe mënyrën se si ka operuar ai për kufizimin e hetimeve.

Si i ruajti Sigurimi i Shtetit familjet e komplotistëve dhe përkujdesja e fshehtë për fëmijët e pjesëtarëve të kastës ushtarake.

Kush ka qenë Feçor Shehu dhe cili ishte roli i tij në organizatën kundërrevolucionare të Mehmetit.

Dëshmitë e panjohura për lidhjet e Panajot Plakut me Koçi Xoxen dhe roli i Mihallaq Ziçishtit në miqësinë e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›