E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolaudimi i makinave,në nëntor privatizimi

Së shpejti kolaudimi i makinave do të kryhet nga një kompani private. Burime nga Ministria e Transporteve shprehen se ka përfunduar faza e parë e parakualifikimit për tre kompani. 

Fabiola Çela

Bëhet fjalë për kompaninë franceze Sas Sakar s.r.l, kompaninë gjermane Tyv Sud dhe ajo zvicerane Sgs. Grupi i punës në Ministrinë e Transportit ka përfunduar dokumentacionin që duhet të plotësojnë firmat për vazhdimin e procedurës së tenderit. Brenda kësaj jave ky dokumentacion do t'u dërgohet APP si dhe tre kompanive. Brenda 100 ditëve nga dorëzimi i dokumentacionit, do të zhvillohet edhe tenderi ndërkombëtar për përzgjedhjen e ofertës më të mirë. Ky tender është parashikuar të zhvillohet në muajin nëntor, ku do të shpallet edhe kompania fituese që do të marrë me koncesion shërbimin e kontrollit të detyrueshëm teknik të automjeteve, ose siç njihet ndryshe kolaudimi. 
Formula
Procedura e koncesionit do të jetë propozim i kërkuar, për një kohëzgjatje deri në 20 vjet. Aktualisht fatura financiare që paguajnë qytetarët për të kryer kolaudimin e makinës së tyre është 1200 lekë. Pak kohë më parë në një prononcim për mediat, kreu i Ministrisë së Transporteve, Olldashi, tha se një nga kriteret e vlerësimit do të jenë tarifat, pasi nuk mund të lejohen tarifa të palimituara. "Do të jetë një nga kriteret e vlerësimit, pasi ne nuk mund të lëmë tarifa të palimituara. Është bërë një kombinim shumë i mirë i disa faktorëve, i faktorit investim, faktorit teknologjik që do të përdoret, por edhe i tarifës së aplikueshme. Edhe me tarifat që janë aktualisht dhe që janë të përballueshme nga qytetarët, sektori i kontrollit teknik të automjeteve ka një të ardhur, pra ka një fitim. Sigurisht që kjo e ardhur do të mbetet në vlerësimin e ofertuesve, nëse kjo e ardhur është e mjaftueshme për të mbuluar gjithë investimet që kërkohen për të përmirësuar teknologjinë e kontrollit", ka deklaruar ministri.
Përfitimet
Ndërkohë, sipas specialistëve të kësaj ministrie, me dhënien me koncesion të kësaj drejtorie synohet që të përmirësohet cilësia e shërbimit, duke pasur kështu një kontroll teknik e profesional si në BE. Liberalizimi i shërbimeve synon përmirësimin e tyre, aq më tepër që në këtë rast bëhet fjalë për rritjen e nivelit të sigurisë rrugore, që kohët e fundit ka qenë tepër problematik dhe ka qenë fajtor për shkaktimin e mjaft viktimave. Sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit, pritet që numri i përgjithshëm i automjeteve në vend të rritet gati tri herë nga viti 2005 në vitin 2025, duke arritur në 750.000. Kjo tendencë kërkon rritjen e sigurisë teknologjike, si dhe të mbrojtjes më të lartë të mjedisit nga ndotja. Kompania që do të fitojë tenderin për marrjen me koncesion të shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve do të kryejë investime në modernizimin e teknologjisë së shërbimit. Kolaudimi i makinës është një proces që kryhet një herë në vit. Por shpeshherë qytetarëve u duhet të qëndrojnë në radhë për të kryer kontrollin teknik të automjeteve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›